Komuna e Shtimës shënon 28 nënotrin me aktivitete kulturore-artistike

28 Nëntori-Dita e Flamurit Kombëtar, në komunën e Shtimes është shënuar me një varg aktivitetesh, të cilat janë organizuar nga Drejtoria për Kulture, Rini dhe Sport.

Për nder të kësaj feste kombëtare, aktivitetet kanë filluar më datën 25 Nëntor, kur edhe është realizuar Shfaqja premierë “ Me ligj apo me kanun”, në Shtëpinë e Kulturës. Shfaqja është realizuar në regjinë e Marigona Bekteshit kurse menaxher i projektit ishte Mirsad Ferati. Rolet u interpretuan nga actorët e rinj: Qëndrim Shabani, Lirim Halimi, Dren Imeri, Kosovar Misini, Çlirimtar Misini, Erxhan Mehmeti, Durim Ademaj, Dafina Ramadani, Liridona Krasniqi, Zela Gashi, Gentiana Mehmeti, Djellza Latifi dhe Gentiana Lami.

Ndërkaq, më 27 Nëntor është mbajtur  Programi  kulturor, me rapsodë të komunës së Shtimes, në Shtëpinë e Kulturës, i cili program është përcjellur nga numër i madh i shikuesve.

Më 28 Nëntor, strukturat udhëheqëse të komunës, në krye me kryetarin Naim Ismajli, Shoqatat e Dala nga Lufta e UÇK-së dhe qytetarë të tjerë, kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur lule, fillimisht në Kompleksin Përkujtimor në Prekaz, pastaj në Varrezat e Dëshmorëve të Komunës, në Shtime, në Kompleksin Përkujtimor në Reçak dhe në Varrezat e Dëshmorëve në fshatin Mollopolc.

Në orët e pasditës, në Shtëpinë e Kulturës, është mbajtur Ora Letrare dhe programi artistik nga Qendra Rinore dhe Ansambli i Këngëve dhe Valleve”Dita”.
 
Në këtë Orë Letrare, para publikut, nxënësit nga të gjitha shkollat Fillore të Mesme të Ulëta, të komunës, janë paraqitur me poezitë kushtuar Festës së Flamurit Kombëtar kurse   Ansambli i Këngëve dhe Valleve ”Dita” ka performuar me këngë dhe valle, të interpretuara nga talentët e rinj.

Përmbyllja e aktiviteteve kushtuar shënimit të 28 Nëntorit-Ditës së Flamurit Kombëtar është bërë me koncertin festiv, i cili është mbajtur në Shtëpinë e Kulturës e ku para qytetarëve, me këngë e valle, janë paraqitur artistë të estradës muzikore./InfoKomuna/