Me iniciativën e Arbenita Bungut, deputete në Organizatën, Kuvendi i të Rinjve të Kosovës, së bashku me përfaqësues të organizatës Leutrim Musolli dhe Valmir Ilazi, sot kanë vizituar bibliotekën e qytetit të Shtimes, në këtë rast dhuruan 230 libra.
“Librat janë donacion nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit”, tha Arbenita Bungu.
Arbenita dhe Leutrimi përfaqësojnë të rinjtë e Komunës së Shtimes në nivelin qendror të Kuvendit të Rinjve të Kosovës.
Drejtori i DKRS-së, Lumni Amrushi tha “urime Dita Ndërkombëtare e Librit, të gjithë të rinjve të komunës sonë, gjithashtu ju uroj mirëseardhje përfaqësuesve të Organizatës së Kuvendit të të Rinjve të Kosovës për këtë aktivitet dhe falënderoj për këtë iniciativë, Arbenita Bungu, gjithashtu falënderoj Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sport për këtë donacion, i cili është i mirëseardhur duke pasuruar edhe më tutje bibliotekën e qytetit, që me këtë rast, lexuesit tanë kanë edhe më shumë zgjedhje pasi që jemi pajisur edhe me tituj të ri të librave".
Me aktivitetin e dhurimit të librave, këta të rinj kanë plotësuar me disa tituj edhe Mini-bibliotekën e cila është e vendosur nga Këshilli i Veprimit Rinor Lokal ( KVRL ), afër muzeut të qytetit, duke pasuruar edhe më tutje me tituj të ri të librit si mjet i shënimit të dijes, shkencës, letërsisë, artit dhe komunikimit njerëzor.
Dita për Librin, është përzgjedhur të jetë 23 prilli, është një datë me kuptim simbolik për letërsinë botërore. Me këtë datë të vitit 1616, lidhet vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore: Shekspirit në Angli dhe Miguel de Servantes në Spanjë.
Kjo datë shënohet në botë që nga viti 2003, ndërsa është përzgjedhur në vitin 1995 me qëllim të kontribuojë në mbarë botë për të drejtat e autorit duke inkurajuar të gjithë, e në veçanti të rinjtë për të zbuluar kënaqësinë e leximit. /InfoKomuna/