Vushtrri, rrënohet një objekt i Qendrës së Kulturës

Në seancën e rregullt të enjten Kuvendi i Komunës së Vushtrrisë, me 17 vota për ka marr vendim për rrënimin e pjesshëm të objektit të Qendrës së Kulturës “Hasan Prishtina” në qendër të qytetit.

Në fakt Kuvendi ka marr vendim për rrënimin e Objektit të vjetër të Qendrës, por do të mbetet salla e teatrit e cila do të inkorporohet në objektin e ri që do të ndërtohet.

Nënkryetari i Komunës Dibran Perçuku ka thënë se në këtë projekt 2 vjeçar Komuna e Vushtrrisë me përkrahje edhe nga Qeveria e Kosovës ka ndarë mbi 1 milion Euro për ndërtimin e objektit të ri të Qendrës së Kulturës.

Në debatin lidhur me këtë çështje fillimisht kompania “Arhico ing” ka bërë prezantimin e projektit të objektit të ri të Qendrës që do të ndërtohet pikërisht në vendin e rrënimit.
Anëtari i Kuvendit Muharrem Shabani, ka kërkuar nga kompania projektuese të dijë se sa është  sipërfaqja e objektit të ri të Qendrës së Kulturës, duke kërkuar që ajo të rritet nga sipërfaqja e tanishme duke ju përgjigjur rritjes së qytetit në të ardhmen.

Mehmet Selaci VV, ka kërkuar nga Kompania dhe komuna që në draftin tjetër të projektit që sërish do sjellët Kuvendit të përfshihen edhe propozimet që janë dhënë nga qytetarët dhe arkitektët e Vushtrrisë në debatet publike me qytetarë. Melihate Basholli PDK, ka kërkuar që ky objekt të trajtohet si Qendër e Kulturës e jo shtëpi e kulturës si është trajtuar deri më tani në projektin në fjalë.

Po ashtu në këtë seancë është diskutuar edhe opinioni i MAPL-së rreth seancës së jashtëzakonshme të Kuvendin Komunal të mbajtur me 10 mars për Planin Zhvillimor Komunal, ku janë konstatuar se janë bërë shkelje të dispozitave ligjore të Ligjit për vetëqeverisje lokale.

Në këtë seancë Kuvendi ka debatuar gjithashtu  lidhur me pasqyrat financiare dhe raportin e kryetarit të Komunës për vitin e kaluar. Po ashtu betimin si anëtare e re e Kuvendit Komunal e ka bërë Gentiana Rama LDK.

/InfoKomuna/