Drejtori i një shkolle në Prishtinë denoncohet se i kërcënoi nxënës e prindër me armë zjarri

“Ua thej dhëmbët sa që as prindi nuk do ju njoh kur të ju sheh”... “Unë nuk i frikësohem as prindërve të juaj, as policisë”. Janë këto vetëm disa nga kërcënimet për të cilat Isak Bregaj, drejtor i shkollës fillore “Dardania” në Prishtinë, është denoncuar në Polici e në Drejtorinë e Arsimit. Një nënë, që për shkak të tij ka ndalur fëmijën nga shkolla, tha që ky drejtor në zyrën e tij ka nxjerrë para nxënësve edhe armë zjarri

K.A., 12-vjeçare, nxënëse e shkollës fillore “Dardania” në Prishtinë, ka mbi një javë që nuk po shkon në shkollë. Nëna e saj këtë vendim e ka marrë pas një incidenti që ka ndodhur mes saj, të bijës dhe drejtorit të shkollës Isak Bregaj, i cili akuzohet se ka nxjerrë edhe revolen.

Këtë rast prindi e ka denoncuar edhe në Policinë e Kosovës, si dhe në Drejtorinë e Arsimit të Komunës së Prishtinës, dhe një kopje të këtij denoncimi e ka Gazeta Express.

“Përtej asaj që e kam denoncuar në Polici e në Drejtorinë e Arsimit, unë për momentin nuk dua të shtoj ndonjë gjë, pos që dua të them që nuk do të ndalem çfarëdo pengese që na del në proces”, ka thënë nëna K.N. për Express.

Ajo ka theksuar se për shkak të pasigurisë që ndjen, pasi që e ka parë drejtorin të bartë armë zjarri brenda shkollës, nuk e lejon vajzën e saj që të vijojë tash për tash mësimin në atë shkollë.

E drejtori i denoncuar në Polici për armën që ua shfaqi nxënësve nuk ka komentuar, edhe pse Express e ka pritur për disa ditë që të prononcohet.

As Drejtoria e Arsimit e Komunës së Prishtinës nuk i është përgjigjur pyetjeve të Gazetës Express të dërguara përmes postës elektronike.

Sipas denoncimit që i është bërë drejtorit Isak Bregaj në Polici, e që e posedon Gazeta Express, krejt ngjarja ndodhi më datën 22 shtator në Shkollën Fillore “Dardania” në Prishtinë, ku kishte pasur një mosmarrëveshje mes nxënësve e që problemi i njëjtë përfundoi të sqarohet në zyrën e drejtorit.

Sipas këtij denoncimi, nëna e vajzës K.A., e cila vijon mësimin në këtë shkollë, K.N. pasi që ishte ftuar nga drejtori i shkollës Isak Bregaj për këtë çështje, ky i fundit kishte kërcënuar vajzat dhe ua kishte treguar revolen duke thënë se “nuk i frikësohet askujt”.

Prindi i vajzës, K.N., ka paraqitur ankesë në Komunën e Prishtinës për po këtë çështje. Ankesa shkoi në Drejtorinë e Arsimit, por drejtoresha e kësaj Drejtorie, Arbërie Nagavci, ende nuk ka ndonjë koment për Express-in.

N.K. në ankesën që e dërgoi në Drejtorinë e Arsimit në Komunën e Prishtinës, ka treguar se Isak Bregaj, drejtor i shkollës “Dardania” ka kërcënuar verbalisht vajzën e saj dhe L.K. bashkëmoshataren e vajzës së saj, duke thënë se ai ka përdorur fjalë kërcënuese “ia thej dhëmbët sa që as prindi nuk do ju njoh kur të ju sheh”.

Mirëpo, ai nuk e la me kaq. Kërcënimet e tij verbale shkuan në një shkallë më të lartë. Ai nxori revolen nga tavolina e tij e punës në prezencë të fëmijëve dhe tha “Unë nuk i frikësohem as prindërve të juaj as policisë”, dhe e përplasi revolen për tavoline, tregon K.N.

Më 23 shtator, rasti është paraqitur në polici në stacionin numër 4 në Prishtinë dhe më pas i njëjti është bartur te stacioni numër 2 po në Prishtinë.

E gjithë kjo situatë, ka shtyrë K.N. që ta ndalë nga shkolla vajzën e saj K.A., “derisa të merren masa ndaj drejtorit që pati sjellje mafioze”, siç shkruan ajo në denoncimin e saj. /GazetaExpress/