Ai thotë se kanë dalë faqebardhë dhe tani fokusi i tyre mbetet si t'i trajtojnë me dinjitet dhe profesionalizëm të prekurit nga COVID-19.
Emini me profesion anesteziolog e ka marrë një detyrë të re në një situatë bukur delikate dhe në kohën kur pandemia COVID-19 po bënte kërdi edhe në Kosovë.
Ai thotë se spitali i Gjilanit dhe personeli i saj mjekësor kanë dalë faqebardhë në luftën kundër pandemisë.
“Aktualisht i kemi 100 pacientë të hospitalizuar me COVID-19 dhe e mira është se tani nuk kemi ndonjë presion për mungesë të shtretërve apo mungesë të Oksigjenit, sepse të vetmin presion mund ta kemi numrin e pacientëve të prekur me COVID-19” shprehet Emini.
Emini shprehet se është i preokupuar edhe me telashet e brendshme që i ka gjetur në detyrën e re.
“Spitalin e kam gjetur me telashe të hapura, por mendoj se edhe kjo situatë është e menaxhueshme. E di që do të ketë vendime të dhimbshme për dikënd, por ato janë të domosdoshme. Ndërrimet dhe ndryshimet janë të domosdoshme siç ishte me rastin e shefave të reparteve të cilëve u ka skaduar afati në korrik. Edhe tani ata janë vetëm u.d., sepse më vonë hapet konkursi i rregullt”. /rajonipress.com/