Në këtë mbledhje Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, para anëtarëve të kuvendit, ka prezantuar një raport në lidhje me punën njëvjeçare të ekzekutivit. Kryetari Aliu në fjalën e tij, ka thënë se ky raport pune, është produkt i një përpjekje të pandalshme, të suksesshme, të palëkundur që buron nga objektivat e platformës sonë qeverisëse, për të cilën u angazhuan gjatë 365 ditëve të vitit 2023, udhëheqja politike e administrata komunale, për t’i bërë të realizuara planifikimet tona programore.
“Viti 2023, ishte i veçantë e historik për Ferizajn. Arritëm suksesshëm të realizojmë objektivat tona për vitin 2023, me numër të lartë të projekteve të realizuara, po kaq edhe në realizim e sipër, të cilat do të jenë të qasshme e në shërbim të qytetarëve gjatë këtij viti, punë publike, vlug i nismave për t’i sjellë Ferizajt, atë për të cilën morëm besimin e tyre.
Ishte historik viti 2023 për Ferizajn, ngaqë ishte vit jubilar i themelimit të qytetit, 150 vjetori i themelimit të qytetit, të cilën e shënuam me pafund ngjarje kulturore, dokumentare, rinore, sportive, përkujtimore, organizime të strukturave shëndetësore që e bëjnë edhe në këtë mes, Ferizajn të shquhet e të provoj për të satën herë, veçantinë e organizimeve masive kulturore, cilësinë e padiskutueshme, vlerë kjo e jona dalluese edhe nga qendrat tjera.
Në këtë vitlindje të Ferizajt, nderuam kategorinë më sublime të lirisë së Kosovës, Heronjtë, Dëshmorët e Kombit, martirët e lirisë, shoqatat e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nderuam familjet që ishin themeltaret e bartëset e proceseve në zanafillën e Ferizajt, nderuam personalitetet që me vlerat e tyre, krenohet i gjithë kombi, jo vetëm Ferizaj. 2023-ta në prapakthimin e kujtesës historike të rrugëtimit tonë nga themelimi më 1873, ishte përplot veçanti, të cilat dinjitetshëm, me krenari të lartë i skalitëm si ngjarje të kalendarit të qeverisjes dhe vet qytetarëve gjatë vitit 2023”, ka thënë Aliu, përderisa ka shtuar se vizioni ynë transformues për Ferizajn, po dëshmohet në çdo ditë të Ferizajt, se është i duhuri, meritori e zhvilluesi i potencialit që përfaqëson Ferizaj në gjithë vendin.
“vizioni ynë transformues për Ferizajn po vijon të shtrihet në çdo kënd e hapësirë të Ferizajt, me projekte konkrete, me nisma të qëndrueshme që bëjnë çdo vit diferencën e Ferizajt, nga vitet paraprake.
Në fushën e infrastrukturës rrugore e shërbimeve publike, intensifikuam punimet në projektin tjetër transformues të zonës qendër të qytetit, atë të ndërtimit të nënkalimit për vetura dhe këmbësorë afër Stacionit Policor në Ferizaj, ku tashmë jemi dëshmitarë, se në një afat rekord, me cilësi të lartë, është përfunduar një pjesë e konsiderueshme e punëve, gjë që do të na mundësoj funksionalizimin më të shpejt të tij.
Po kështu, me qasjen që çdo rrugë që projektohet në kuadër të investimeve tona, të jetë rrugë me standarde moderne, nisëm edhe punimet në transformimin e arterieve ndër kryesore rrugore të qytetit, rrugëve “Zenel Hajdini” dhe “Behxhet Sojeva”.
Duke bërë ndjeshëm diferencën nga ajo çfarë ishte, në këtë që është, përfunduam pjesën e parë të punimeve në rrugën “Ahmet Kaçiku” e ku tashmë po vijojmë për ta mbyllur së shpejti në tërësi gjithë investimin, edhe me pjesën e dytë të kësaj arterie kyçe në qarkullimin urban.
Objekti i ri i Stacionit të Autobusëve, pas punimeve infrastrukturore që kryem në vitin 2023, tashmë është pothuajse gati në funksionalizimin e plotë të tij.
Vijuam me investime të shumta kapitale në rregullimet e nevojshme infrastrukturore në qytet e fshatra përgjatë gjithë vitit 2023, si asfaltimet në rrugën kah FSK-ja, rruga “Sinan Sahiti”, në lagjet komunitare si Halit Ibishi e Sallahane si dhe në fshatra si Softaj, Varosh, Greme, Gaçkë, Mirosalë, Dardani, Prelez i Jerlive, Bablak, Tërrn, Sazli, Dremjak, Komogllavë, Burrnik-Kashtanjevë, Prelez i Jerlive – Kosinë, Talinoc i Muhaxherëve, Dubravë etj.
Me qëllim të përmirësimit të ndjeshëm të kushteve të punës, bashkëinvestuam në renovimin e jashtëm të objektit të Brigadës së Zjarrfikësve, po kështu rritëm kapacitetet operative për mirëmbajtjen e qytetit si dhe bëmë shtimin e kapaciteteve për mirëmbajtjen e qytetit dhe fshatrave duke investuar në kontenjerë të rinj për hedhjen e mbeturinave në qytet.
Në këtë kuadër, pastruam deponinë ilegale të mbeturinave tek Parku i Lirisë, hapëm kanale ujore mbi 10 kilometër për parandalimin e vërshimeve si dhe investuam në sinjalistikë rrugore duke rritur ndjeshëm sigurinë në trafik”, është shprehur Aliu.
Kryetari Agim Aliu, ka thënë se Ferizaj në pikëpamje financiare dalloi nga komunat tjera, duke garantuar barazi e drejtësi për qytetarët e bizneset, me uljen 33% të tatimit në pronë për vitin 2024 e po kështu, falëm obligimet e papaguara për taksën në aktivitet, taksën afariste në vlerë prej 1,113,323.46€ – masë kjo e dobishme, lehtësuese dhe me ndikim të drejtpërdrejt financiar për qindra biznese ferizajase.
“Me mbylljen e vitit fiskal 2023 në kuadër të fushës së inkasimit të të hyrave vetanake, realizuam të hyra vetanake në vlerë 8,987,128.38€, kurse të hyrat vetanake të planifikuara për vitin 2023 ishin 6,435,924.00€, angazhim ky që dëshmon se kemi arritur ta realizojmë planin për 2,551,204.38€ më shumë në krahasim me planifikimin e të hyrave ose shprehur në përqindje kemi 39.64% tejkalim të planifikimit.
Unike në gjithë vendin, mbetet akordimi i plotë në kuotën 100% të tij, i Fondit për Biznese, i cili në vitin 2023 iu dedikua plotësisht grave në biznes gjersa, si mbështetje e përgjithshme nga Komuna për bizneset e grave ndamë mbi gjysmë milionë euro nga skemat mbështetëse të Komunës”, tha ai.
Kryetari Aliu, tutje ka folur edhe për fushën e arsimit, bujqësisë, zhvillimit ekonomik dhe turizmin, shërbimet publike, shëndetësinë dhe mirëqenien sociale, si dhe në fushën e kulturës dhe sportit.
Pas fjalës së Kryetarit Aliu, opozita pati kritikat e tyre, ndërsa pozita ka lavdëruar punën njëvjeçare të ekzekutivit të Ferizajt.
Vërejtjeve të anëtarëve të Kuvendit të Komunës, ju kanë përgjigjur drejtorët e drejtorive komunale, por edhe Kryetari Aliu.
Mbledhja e Kuvendit të Komunës, ka vazhduar me pikat tjera të rendit të ditës. U vendos që anëtarë i ri i Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi u vendos që të jetë Visar Islami.
Drejtori i Drejtorisë së Pronës, Gjeodezisë dhe Kadastrit Sabri Murseli, ka bërë propozim – vendimin për këmbimin e ngastrës kadastrale; 492-3 Z.K. Ferizaj, pronë private, me qëllim të këmbimit me pjesën e ngastrës kadastrale 690-3 Z.K. Talinovc i Jerlive, pronë e Komunës së Ferizajt, poashtu ka bërë propozim – vendimin për shpalljen e interesit të përgjithshëm të ngastrave kadastrale; 376-1 dhe 378-3 Z.K. Nerodime e Ulët, pronë private, me qëllim të këmbimit me pjesën e ngastrës kadastrale 992-0 Z.K.Talinovc i Muhaxherëve, pronë e Komunës së Ferizajt. Drejtori Murseli poashtu ka bërë edhe shpalljen e interesit të përgjithshëm të ngastrave kadastrale; 667-1 dhe 667-2 Z.K.Talinoc i Muhaxherëve, pronë private, me qëllim të këmbimit me pjesën e ngastrës kadastrale 286-0 Z.K. Talinovc i Muhaxherëve, pronë e Komunës së Ferizajt, si dhe ngastrave kadastrale; 532-5 Z.K. Talinovc i Jerlive, pronë private, me pjesën e ngastrës kadastrale 690-3 Z.K. Talinovc i Jerlive, pronë e Komunës së Ferizajt.
Në këtë mbledhje u bë edhe anulimi i vendimit për dhënien me qira të banesave në pronësi të komunës , si dhe u bë plotësim-ndryshimi i rregullores 01.Nr.23 te datës 28.02.2020, ku u bë rregullimi i orarit të punës për barnatoret e qytetit.
Kuvendi i Komunës së Ferizajt diskutoi gjerë e gjatë për raportin e punës për vitin 2023
Këtë të premte është mbajtur mbledhja e rregullt e Kuvendit të Komunës së Ferizajt e kryesuar nga kryesuesi Xhavit Zariqi, ndërsa ka marrë pjesë Kryetari Agim Aliu, nënkryetari Lulzim Aliu si dhe drejtorët e drejtorive komunale.