Filloi viti i ri akademik 2016/2017 në Kosovë

Kryeparlamentari i Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami dhe rektori i Universitetit “Hasan Prishtina” në Prishtinë, Marjan Demaj, kanë marrë pjesë në fillimin solemn të vitit të ri akademik në Universitetin “Hasan Prishtina” në Prishtinë, njofton kumeta nga MASHT.

Veseli, gjatë vizitës në Fakultetin Juridik uroi studentët dhe profesorët për fillimin e vitit të ri akademik, ndërsa theksoi se Universiteti i Prishtinës ishte vatër diturie dhe bartëse e të gjitha proceseve pozitive të shtetndërtimit të Kosovës, transmeton Koha.net.

“Por, sot Universiteti i Prishtinës duhet të transformohet nga një universitet i mësimdhënies në një universitet, i cili ka për bazë inovacionin, hulumtimin dhe shkencën, ndërsa konkurrenca është ajo që përcakton edhe të ardhmen tuaj dhe të vendit tonë”, tha Veseli.

Ndërsa, ministri Bajrami, duke iu drejtuar studentëve të Fakultetit Juridik, ndër tjera tha se kjo është një ditë e veçantë për studentët, “sepse po nisni një ëndërr, një ëndërr që nesër të bëheni lider të së ardhmes”.

“Ky Universitet, në të kaluarën ka qenë bartës i të gjitha proceseve të shtetndërtimit, lirisë, pavarësisë dhe edukimit të të rinjve në frymën e atdhedashurisë”, tha ministri bajrami, ndërsa theksoi se tani duhet të jemi të gatshëm që shtetin tonë ta ndërtojmë, që të jetë i barabartë me të tjerët.

Bajrami dhe rektori i UP-së, z. Marjan Demaj, kanë marrë pjesë në fillimin solemn e vitit të ri akademik edhe në Fakultetin e Mjekësisë, me ç’rast, ministri Bajrami tha se Prishtina dhe Kosova sot është e studentëve.

“Universiteti i Prishtinës tashmë ka ndërtuar standardin e meritave, ndërsa ka ardhur koha që të universitetet të futen në konkurrencë, ndërsa ju, të dashur studentë, duhet të jeni më shumë kërkues dhe kritik në kërkesat tuaja“, tha ministri Bajrami.

Ministri Bajrami dhe rektori Demaj, më pas, kanë vizituar edhe Qendrën e Studentëve dhe Mensën në këtë Qendër, për të parë nga afër edhe sistemimin dhe kushtet ku do të banojnë dhe do të ushqehen studentët gjatë këtij viti akademik.

“Për ne si Ministri është me rëndësi që studentëve t’iu sigurohen kushte sa më të mira, siguri në jetë dhe ushqim të shëndetshëm”, tha ministri Bajrami.