Gjilan: Rrugët e viseve malore do të ndërtohen me asfalt që s`e ndot ambientin

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka deklaruar se ndërtimi i rrugëve malore në fshatrat e Karadakut, siç janë Stançiq, Pidiq, Selishtë, Celikë dhe Dunavë do të duhej bëhej konform standardeve në BE.

Sipas tij, Komuna po planifikon që këto rrugë malore t`i shtrojë me njëlloj asfalti i cili është në favor të ruajtjes së ambientit, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Kam qenë ithtar në këto zona me u gjend një mënyrë e tretë e rregullimit të rrugëve. Të asfaltohen, por është një tip i asfaltit i cili ndërtohet në vendet malore dhe në vendet e tilla tipike. Është tip i asfaltit i cili ruan ambientin dhe i cili përdoret edhe për turizmin malor sikur në çdo vend tjetër të Evropës”, ka thënë ai.

Sipas tij, Komuna në planet e ardhshme do të ndërtojë njërën prej rrugëve të këtyre fshatrave në mënyrë që të shihet ndikimi i saj për ringjalljen e turizmit malor dhe tërheqja e investimeve në këtë pjesë. Ai thotë se me hapjen e vendkalimit kufitar Stançiq-Bellanoc në kufirin Kosovë-Maqedoni do të nxisë që ato zona të zhvillohen më shumë.

Ai thotë se do të ndërhyjnë në parkun e lagjes “Arbëria” në Gjilan, ngase ai park është betonuar dhe se qeverisja komunale parasheh që ai park të shndërrohet në zonë të gjelbër. Ai gjithashtu ka përmendur edhe zonat e tjera të qytetit, të cilat do të behën zona të gjelbra. “Tek Atik Xhamia apo parku i ilegales do të bëhet zonë e gjelbër. Tek rruga “Reshat Ymeri” do të bëhet parku i gjelbër. Në lagjen “Arbëria” do të rivitalizohet, sepse ai park është betonuar. Por edhe në disa zona tjera”, ka shtuar më tej ai./Kohanet/InfoKomuna/