Ky realitet demanton Prishtinën zyrtare, që flet për integrim të veriut. Është vetë Qeveria e Kosovës ajo që ka folur për brishtësinë e funksionimit të katër komunave të veriut Mitrovicës Veriore, Zveçanit, Zubin-Potokut e Leposaviqit.
E ka dhënë këtë konstatim në raportin mbi zbatueshmërinë e marrëveshjeve Kosovë-Serbi, të mbërritura në Bruksel. Raporti i referohet periudhës nga 1 janari e deri më 15 qershor dhe ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ua ka përcjellë atë autoriteteve të Bashkimit Evropian.
Qeverisja ilegale në komunat legale
Struktura ilegale të mbështetura nga Serbia vazhdojnë ta ushtrojnë pushtetin real në komunat e veriut të banuara me serbë, pavarësisht se nga 2013-a ato qeverisen prej autoriteteve të konfirmuara nëpërmjet zgjedhjeve që ka organizuar Kosova, shkruan sot Koha Ditore.