Ky fond ishte krijuar në bazë të marrëveshjes së përkohshme për doganat, të arritur në dialogun Kosovë - Serbi, në vitin 2013.
Me këtë marrëveshje ishte jetësuar në praktikë që paratë e mbledhura përmes pikave kufitare Jarinë dhe Bërnjak, të destinohen në Fondin për zhvillimin e komunës së Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit.
Qëllimi i krijimit të Fondit Zhvillimor të Mirëbesimit ishte ngritja e cilësisë së jetës, në mënyrë që zhvillimi ekonomik në këto komuna të barazohet me nivelin e komunave tjera në Kosovë. Po ashtu, një nga qëllimet ishte edhe integrimi i veriut në rrjedhat sociale dhe ekonomike të vendit.
Në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë nga Zyra për informim e Ministrisë së Financave, thuhet se ‘totali i mjeteve të transferuara nga viti 2013 deri tani nga llogaria e buxhetit të Kosovës në llogarinë për Fondin Zhvillimor të Mirëbesimit është 14,414,350.14 euro’.
Ndër vite bëhet e ditur se një shumë e këtyre mjeteve në katër komunat veriore (Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan) është investuar në projekte të ndryshme kapitale.
Lulzim Rafuna, këshilltar i ministrit të Financave, Bedri Hamza, tha për Radion Evropa e Lirë se qëllimi i krijimit të Fondit ka qenë integrimi dhe zhvillimi i komunave veriore.
“Fondi do të ketë efekt në integrimin jo vetëm të serbëve, por të të gjitha komuniteteve që jetojnë në këto komuna. Ne kemi arritur në fazën ku të gjitha procedurat e këtij fondi po zhvillohen nëpërmjet legjislacionit të Kosovës, pasi që dihet se në kohën kur ka filluar ky fond, nuk e kemi pasur shtrirjen ligjore edhe në atë pjesë të Kosovës”, tha Rafuna.
Ndërkaq, sipas Marko Jakshiqit nga Mitrovica e veriut, njohës i zhvillimeve në Kosovë, mjetet e ndara në këtë fond nuk janë shfrytëzuar për projekte të duhura. Ai ngre dyshime se mjetet e këtij fondi edhe mund të keqpërdoren.
“Nuk ka ndikuar fare. Është menduar si diçka që do ta nxiste zhvillimin ekonomik të komunave të veriut. Por, për shkak të burokracisë së tepërt, mjetet nga ky fond nuk janë shfrytëzuar për gjëra të duhura dhe për projektet infrastrukturore në veri. Kështu që ato para po qëndrojnë në xhirollogari dhe frikësohem se ndonjë ditë do të keqpërdoren”, u shpreh Jakshiq.
Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Jakshiq tha se mjetet e shpenzuara nga ky fond, nuk kanë ndonjë vlerë të larë që do të mund të ndikonte në përmirësimin e jetës së qytetarëve, të cilët jetojnë në këto komuna.
“Nuk e di saktësisht, por mjetet që janë investuar nuk janë të mëdha. Do të thotë, janë disa qindra mijëra euro, ndoshta deri në një milion nga ato 15 milionë sa janë në dispozicion aktualisht në xhirollogarinë e fondit. Kështu që, kjo nuk është një shifër që do të mund të kontribuonte në përparim dhe zhvillim. Sikur të shfrytëzoheshin të gjitha mjetet nga fondi për dedikimin që kanë, atëherë edhe infrastruktura në veri do të ishte më e mirë”, theksoi Jakshiq.
Në anën tjetër, Lulzim Rafuna, këshilltar i ministrit të Financave Bedri Hamza, tha se komunat veriore janë shumë të interesuara për këtë fond, por ai ripërsërit se fondi nuk guxon të shpenzohet për qëllime tjera përveç projekteve kapitale.
“Ne, si Ministri e Financave, por edhe përfaqësuesja e Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, iu kemi bërë ftesë katër komunave veriore që t’i dorëzojnë projektet në mënyrë që të zhvillohet edhe ajo pjesë, t’i ndihmohet asaj pjese në kuptim social që të integrohet dhe zhvillohet dhe jemi duke punuar që të gjitha këto mjete të shkojnë për këtë qëllim”, theksoi Rafuna.
Fondi për Veriun qysh nga themelimi i tij ishte paraparë të jetë i përkohshëm dhe, sipas Rafunës, ky fond do të ndërpritet varësisht nga vlerësimet që do të bëhen me partnerët ndërkombëtarë.
Fondi për veriun e Kosovës arrin vlerën rreth 15 milionë euro
Fondi i Mirëbesimit i krijuar në vitin 2013 për zhvillimin e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, ka arritur vlerën e afër 15 milionë eurove.