Në këtë mbledhje, kanë folur kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza, kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, kryesuesja e Këshillit Komunal, Vesa Broja, si dhe shefat e grupeve të këshilltarëve të kuvendit komunal.
Kryesuesja Broja, në fjalën e saj tha se duke ju falënderuar secilin prej jush për përkushtimin dhe dashurinë tuaj ndaj këtij vendi, le të premtojmë sot që të vazhdojmë të ndërtojmë, të mësojmë dhe të rritemi së bashku.
Kryetari Hamza, në fjalën e tij tha se, jemi këtu për të festuar dhe nderuar dëshmorët e gjithë ata që kanë qenë pjesë e lirisë sonë. Jemi këtu për të vazhduar punën e mirë në ndërtimin e shtetit tonë dhe mirëqenies për qytetarët tanë.
Të nderuar të pranishëm, çdo përvjetor të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, na tingëllojnë magjishëm në vesh fjalët e deklaratës së pavarësisë të shpallur nga ish-kryeministri, Hashim Thaçi, “Shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe demokratik”, ka shtuar kryetari Hamza.
Në anën tjetër, kryetari i Bashkisë së Vlorës, z. Dredha, u drejtua si vlonjat i vlonjatëve, që nuk ka nevojë për ftesë të vijnë në shtëpinë e tyre, e gëzofshit pavarësinë, lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rroftë Kosova e Shqipëria.
Kuvendi i Komunës së Mitrovicës mban seancë solemne kushtuar 17 Shkurtit – Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës
Me rastin e shënimit të ditës së 17 Shkurtit – Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Kuvendi i Komunës së Mitrovicës, në përputhje me traditën, ka organizuar një mbledhje solemne.