Mbahet punëtoria “Edukimi mediatik për lajmet e rreme dhe përmbajtjen VERLT në mediat sociale” me nxënësit e shkollave të mesme të Obiliqit

Në ambientet e Gjimnazit “17 Shkurti” në Obiliq, Misioni i Organizatës për Bashkëpunimit dhe Siguri në Evropë (OSBE), mbajti punëtorinë me temën “Edukimi mediatik për lajmet e rreme dhe përmbajtjen VERLT në mediat sociale” për nxënës të shkollave të mesme.

Alban Zeneli, ligjërues në departamentin e gazetarisë në Universitetin e Prishtinë  shpjegoi konceptet kryesore si dhe metodat e identifikimit të lajmeve të rreme, dezinformatave dhe keqinformimit në mediat sociale. Ai theksoi se:” përdoruesit e rrjeteve sociale në përgjithësi, por sidomos të rinjtë,  duhet çdoherë të jenë të vëmendshëm dhe dyshues për materialin që lexojnë, duke bërë përpjekje që të verifikojnë informatat që marrin online.”

Shpresa Mulliqi nga Departamenti për Siguri Publike në OSBE, shpjegoi se mediat sociale ofrojnë mundësi të lehta për qasje tek audiencat e synuara nga grupe apo individë të ndryshëm që synojnë të shpërndajnë materiale me përmbajtje radikale ose ekstremiste që çojnë në terrorizëm (VERLT).Ajo theksoi se: “të rinjtë duhet të jenë të vëmendshëm në përdorimin e sigurt të mediave sociale, të ushtrojnë të menduarit kritik, si dhe të jenë aktiv në luftimin e lajmeve të rreme dhe adresimin e përmbajtjeve të paligjshme.”

Të pranishmëve i`u drejtuan edhe Burim Gërguri, shef i kabinetit të kryetarit të komunës si dhe Besa Gashi, drejtoreshë e gjimnazit “17 Shkurti”

Po ashtu gjatë kësaj punëtorie u bë e ditur se gjatë muajit prill OSBE do të organizojë programin “Girls’ Talks”, platformë kjo për vajzat e reja të moshës 16-19 vjeçare, që do t’ju ofrojë atyre mundësi për zhvilluar shkathtësi në komunikim, lidership dhe avokim, si dhe për të vendosur një bazë për shkëmbime konstruktive përmes të mësuarit, stërvitjes individuale dhe mentorimit nga bashkëmoshataret. Të interesuarat mund të aplikojnë përmes faqes: https://www.osce.org/mission-in-kosovo/562602