KLGI prezanton analizën: “Nga planifikimi në zbatim” për përmirësimin e zhvillimit komunal

Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) organizoi konferencën “Nga planifikimi në zbatim”, ku u prezantuan gjetjet dhe rekomandimet nga analiza mbi planifikimin strategjik, zhvillimin e projekteve dhe menaxhimin e kontratave në komunat e Kosovës.

Drejtori ekzekutiv i KLGI, Valmir Gashi, theksoi se analiza synon të ndihmojë komunat në ndërtimin e kapaciteteve të brendshme për planifikim dhe zhvillim të qëndrueshëm. Ai nënvizoi rëndësinë e nisjes së këtij procesi me konsolidimin e mekanizmave komunalë dhe përmirësimin e qasjes në planifikimin afatgjatë.

Majlinda Jupolli, zëvendës-udhëheqëse e HELVETAS, theksoi mbështetjen përmes projektit DEMOS, i cili përkrahet nga BE, Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Suedia. Ajo theksoi rëndësinë e planifikimit të mirë për të përmirësuar buxhetimin, menaxhimin e projekteve dhe kontratave, duke ndikuar në performancë më të mirë komunale.

Besnik Muçaj, menaxher i programeve në KLGI, prezantoi të dhënat dhe rekomandimet kryesore, duke vënë në pah se planifikimi i mirë kontribuon në menaxhim më efikas të financave publike dhe rritje të ndikimit zhvillimor përmes projekteve cilësore dhe kontratave të mirëmenaxhuara.

Drejtoresha për Zhvillim Ekonomik Lokal në MAPL, Fetije Begolli-Maxhera, theksoi përkushtimin e ministrisë për të përkrahur komunat në përmirësimin e dokumenteve strategjike dhe harmonizimin e tyre me Programin Nacional për Zhvillim Ekonomik Lokal.

Përfaqësuesit komunalë Majlida Kolshi (Hani i Elezit) dhe Ekrem Berjani (Fushë Kosovë) ndanë sfidat në zbatimin e projekteve zhvillimore, duke theksuar nevojën për mbështetje më të madhe nga niveli qendror dhe bashkëpunim më të ngushtë me sektorin privat.

Konferenca mblodhi përfaqësues të institucioneve qendrore dhe lokale, donatorëve, agjencive qeveritare dhe organizatave të shoqërisë civile. Analiza u zhvillua nga KLGI me mbështetjen e HELVETAS dhe financimin e Bashkimit Evropian, Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Suedisë, dhe synon të shërbejë si platformë për përkrahjen e komunave drejt zhvillimit të qëndrueshëm.