Mbillen 3000 fara të drunjve përmes dronit në Kryeqytet

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Perparim Rama, përmes një postimi në rrjetet sociale ka njoftuar se sot kanë bërë mbjelljen e 3000 farave të drunjve me dron, në bazë të iniciativës për ripyllëzim dhe vizionit për hapësira të pastra dhe të gjelbërta në Kryeqytet.

Njoftimi i plotë i kryetarit Rama:

“Vizioni ynë për Kryeqytetin përfshinë krijimin e hapësirave urbane më të pastra, më të gjelbëra dhe më të jetueshme. Ky vizion përfshinë një qasje holistike ndaj zhvillimit urban duke adresuar edhe sfidat mjedisore.
 Plani i Veprimit për Qytetin e Gjelbër (GCAP) i miratuar nga Kryeqyteti ngërthen këtë vizion dhe përfshin masa konkrete për investime në infrastrukturë, dhe ndryshime tjera me fokus në transportin urban, efiçencën e energjisë së ndërtesave, menaxhimin e mbetjeve të ngurta dhe ujërave të zeza.
Në përputhje me këtë vizion, sot duke aplikuar teknologji të avancuar përmes dronit të Green Wings për ripyllëzimin kemi bërë mbjelljen e 3000 farave të drunjëve. Kjo iniciativë do të ndihmojë në ripyllëzim, reduktimin e ndotjes së ajrit dhe promovimin e biodiversitetit për të krijuar një mjedis urban të qëndrueshëm, të pastër dhe të jetueshëm.”