Lidhur me këtë, kryetari Latifi ka shkruar:
“Në kujtim dhe në nderim të sakrificës sublime për lirinë e atdheut, sot, me familjarë, bashkëpunëtorë e miq, përkujtuam dëshmorët që ranë në Betejën e Mileskës.
Në fundin e majit të viteve 1998-1999, ranë për të mos vdekur kurrë luftëtarë të zotë, themeluesit e celulave të para të UÇK-së, bashkëluftëtarët që mobilizuan, zhvilluan, fuqizuan dhe bënë shumë për suksesin dhe i dhanë shtysën vendimtare fitores së luftës sonë çlirimtare. Më 28 maj 1999, ranë: komandant Mensur Zyberaj - 500-shi, njëri ndër themeluesit e UÇK-së, luftëtarët shembullorë që nderuan armët e tyre për liri dhe tokën shqiptare që kërkonte liri, si Habib Gashi nga Nagaci, i cili, duke e lartësuar emrin dhe veprën e Nesimi Elshanit, vulosi me pushkë në dorë dhe me gjakun e tij idealet e lirisë; ra Ismail Gashi nga Krusha e Madhe, biri i familjes bujare dhe atdhetare Gashi; Bedri Berisha nga Volljaka e Klinës, që erdhi e luftoi nën flamurin e Brigadës 124, e çoi porosinë, se liria fitohet duke luftuar në çdo cep të atdheut, e jo duke mbetur brenda pragut të kasolles, Nazmi Hasani e Kurtish Hasani nga Qëndresa (Randobrava) e Prizrenit, që me rënien e tyre, dëshmuan se vetëm qëndrestarët bëjnë histori dhe janë vetë historia.
Në këtë pllakë mermeri janë edhe emrat e luftëtarëve, të dëshmorëve të lirisë, Agron Bytyçit, Manush Berishës, Rifat Dinës nga Celina dhe Hajrush Berishës nga Brestoci.
Krusha e Madhe, Nagaci, Celina, Drenoci, Rahoveci, çdo vendbanim i kësaj zone dhe e tërë Anadrinia, janë shenjat e identitetit tonë që përmbysën përfundimisht epokën e territ të robërisë.
Ata ranë ndër breza për idealin e lirisë dhe të bashkimit të trojeve shqiptare.
Lavdi dëshmorëve të majit 1998 dhe atyre që ranë në maj 1999!
Lavdi dëshmorëve që ranë për liri në Betejën e Mileskës!”
Kryetari Latifi përkujtoi dëshmorët e rënë në Betejën e Mileskës
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, në vazhdën e homazheve, ka përkujtuar sot edhe dëshmorët të cilët kanë rënë në Betejën e Mileskës.