Në vazhdim një fjalë rasti kushtuar kësaj dite e mbajti kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, i cili tha se, 26 vite më parë, në orët e hershme të mëngjesit të 5 marsit, forca të shumta të ushtrisë e të policisë serbe, me tankse e me artileri, me mjete të blinduara, patën rrethuar shtëpitë e Jasharajve në Prekaz dhe se ata po sulmoheshin sërish, sepse ishin sulmuar edhe në dhjetor 1991 e në janar 1998.
“Asnjë sulm nuk i zmbrapste e nuk i dobësonte por vetëm sa i forconte. Për tre ditë rresht luftuan tre breza bashkë e për një popull. Nga baca Shaban 74 vjeçar te Kushtrimi 13 vjeç, Igballja 11 vjeç e Blerina vetëm 7 vjet. Hamza e Ademi bashkë me tërë familjen, luftuan dhe u sakrifikuan sepse e deshën lirinë dhe tokën më shumë se jetën. Në ato tre ditë e netë të qëndresës epike në Prekaz, 59 dëshmorë ranë për lirinë e atdheut, nga të cilët 18 gra e 10 fëmijë. Shtylla e fortë e kësaj familje emblemë, ishte babai i tyre, baca Shaban Jashari, i cili krahas rritjes së 8 fëmijëve, ishte mësues e veprimtar, ish i burgosur politik e luftëtar çlirimtar”, tha Aliu, duke shtuar se Serbia fashiste e Millosheviqit, kishte menduar atë kohë gabimisht që duke vrarë Ademin dhe Hamzën, mund ta shuante UÇK-në dhe luftën e saj të drejtë për çlirimin e Kosovës. Por duke ndezur luftën në Prekaz, ajo vetëm sa e nxiti edhe më shumë mobilizimin dhe përbashkimin e njerëzve rreth Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që nga disa grupe personash të armatosur, me luftën e saj të drejtë dhe të çiltër, pas masakrave të shumta përfshirë edhe Masakrën e Reçakut, arriti ta fitonte edhe përkrahjen e Aleancës së NATO-s dhe veçanërisht të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që u përfshinë më pas në luftë për t'i dhënë bashkë goditjet përfundimtare Serbisë dhe për ta çliruar Kosovën në qershor të vitit 1999.
“Jasharajt janë vetë baza e UÇK-së. Pa rezistencën, luftën dhe qëndresën e Jasharajve nuk do të kishte UÇK. Ishte pikërisht kjo luftë e nisur dhe e brumosur te Jasharajt, ajo që jo vetëm na çliroi nga pushtuesi e okupatori dhe më pas na e solli shtetin e Republikën, por edhe ajo që na krijoi hapësirë për të jetuar në liri dhe na e hapi rrugën për të ndërtuar institucione demokratike dhe të qëndrueshme. Kur ka ngjarë Epopeja e UÇK-së, UÇK-ja e ka marrë hovin vendimtar për çlirimin e Kosovës. Forcat e panumërta serbe mund të kenë menduar që e fituan një betejë në Prekaz, mirëpo ata mbase edhe nuk e dinin, që porsa e kishin humbur luftën në Kosovë”, tha Aliu, duke bërë të ditur se liria jonë i ka rrënjët te dëshmorët e kombit, tek gratë dhe burrat që sakrifikuan jetën e tyre për lirinë tonë, e mbi të gjitha, nga Jasharajt dhe se Prekazi dhe Kullat e Jasharajve janë vendi prej nga ne marrim trimërinë dhe guximin dhe frymëzimin për të punuar dhe ndërtuar vendin tonë.
“Vetëm drejtësia ndaj agresorit dhe kërkimfalja e pushtuesit garantojnë paqen e qëndrueshme. Ne do të jemi përherë krenarë e çdoherë mirënjohës për sakrificën e Jasharajve, duke u përulur para veprës së tyre të pashembullt e unike në të gjithë Botën. I kujtojmë ata, të rënët, që t’ia përkujtojmë vetes rrugën e gjatë të sakrificës e gjakut për liri, të cilën sot e gëzojmë dhe në të cilën e forcojmë shtetin tonë, që është arritur falë mijëra dëshmorëve të shumë periudhave të luftës sonë për çlirim e bashkim, të cilët përmbledhen te heroizmi i Kryekomandantit Adem Jashari dhe familja e tij”, tha Aliu, duke shtuar se dëshmorët tanë janë të përhershëm mes nesh, në mendjet e zemrat tona, në veprimet e kujtimet tona, në çdo gjë që kemi e gjithçka që gëzojmë dhe se kujtimi për ta na udhëzon për punë të mira, ecje të drejtë dhe na e përkujton se rruga jonë ende nuk ka mbaruar, deri në jetësimin e plotë të idealeve popullore e kombëtare shqiptare.
“Lavdi Kryekomandantit Adem Jashari, lavdi të gjithë të rënëve më 5, 6 dhe 7 mars 1998 si dhe të gjithë atyre që kanë dhënë jetën për lirinë e Kosovës! I përjetshëm qoftë kujtimi, nderimi e lavdia për familjen heroike Jashari dhe dëshmorët e kombit”, tha Aliu.
Në fund të kësaj seance, kryesuesi Adnan Ademi, i njoftoi të pranishmit me aktivitetet që do të zhvillohen për nder të shënimit të Epopesë së UÇK-së.
Kuvendi i Komunës së Shtimes mban Seancë Solemne kushtuar Epopesë së UÇK-së
Për nder të shënimit të Epopesë së UÇK-së, Kuvendi i Komunës së Shtimes, sot ka mbajtur mbledhje solemne, të cilën e hapi Adnan Ademi, kryesues i Kuvendit të Komunës.