Shumica e lokaleve te Fakulteti Teknik në Prishtinë lirojnë pjesërisht trotuaret

Shumica e lokaleve shërbyese, që prej disa vjetësh kanë zënë hapësirat publike përballë Fakultetit Teknik, në Prishtinë, të hënën kanë filluar t`i largojnë tarracat mbi trotuare, që kishin vendosur aty pa lejen e Komunës.

Këtë aksion e kanë ndërmarrë pas urdhrit që ka lëshuar Komuna e Prishtinës, më datën 23 qershor, përmes të cilit pronarët e këtyre lokaleve janë njoftuar se nëse nuk do t’i largojnë vetë tarracat nga hapësirat e uzurpuara publike, atëherë Komuna do t’i largojë ato, shkruan sot “Koha Ditore”.

Zyrtari për informim në Komunën e Prishtinës, Erzen Vraniqi, ka thënë se afati i fundit për lirimin e trotuareve, në mënyrë vullnetare, ka qenë deri në ditën e mërkurë.

Megjithatë, të hënën, jo të gjitha kanë liruar komplet trotuaret. Disa nga lokalet kanë hequr komplet ulëset dhe çadrat e vendosura jashtë lokaleve, e disa të tjera vetëm pjesërisht janë tërhequr nga trotuaret.

Të gjitha lokalet e ndërtuara në hapësirën përballë Fakultetit Teknik të kryeqytetit, janë ngritur pas luftës.

Zyrtarë të Komunës bëjnë të ditur se që nga vitit 2012 ka pasur vendim të Komunës për lirimin e këtyre hapësirave publike, porse nuk është zbatuar. /Koha Ditore/InfoKomuna/