Sot shënohet Dita botërore e personave me Sindrom Down

Nën moton “Më përkrah sot, që nesër të jem i pavarur” shoqata Down Syndrome Kosova (DSK), shënon Ditën botërore të personave të prekur me sindromën Down.

Kjo ngjarje do të shënohet me program artistik, të interpretuar nga fëmijët e prekur me sindromën Down, përgatitur nga profesor Blerim Emerllahu si dhe shfaqjen e filmit dokumentarë për komunitetin e personave të prekur me sindromën Down, me regji të Blerdi Malushi.

Ndërsa, DSK nga data 1 mars, ka filluar fushatën vendore për shënimin e ditës botërore të personave të prekur me sindromën Down.

Gjatë kësaj fushate, sipas një komunikate për media të kësaj organizate komuniteti i personave të prekur me sindromën Down, kanë mbajtur aktivitete të ndryshme nëpër sheshet e Prishtinës si dhe në kuadër të DokuFest, në mbështetje të komunitetit të personave të prekur me sindromën Down, janë shfaqur katër filma vendorë në Doku Kino, njofton RTK.

Gjithashtu, dje në përkrahje të kauzës së DSK-ës, në shtëpinë e kulturës në Prizren, është mbajtur koncert recital nga Petrit Çeku. Ky koncert është organizuar nga fondacioni “Lumbardhi”./InfoKomuna/