Urbanizmi në Pejë bëhet me drejtor të ri

Pas dorëheqjes së drejtorit të mëparshëm para një muaji, Drejtoria e Urbanizmit në Pejë është bërë me drejtor të ri.

Timonin e kësaj drejtorie nga dita e hënë e ka marr magjistri i mjedisit dhe i planifikimit hapësinor, Skënder Shala (PDK), shkruan sot “Koha Ditore”. Ai zyrtarisht ka marrë pjesë të hënën në takimin e Bordit të drejtorëve dhe pastaj i janë dorëzuar edhe çelësat e zyrës.

Shala shpreson që do të ketë bashkëpunim të mirë me kolegët dhe me zyrtarët e tjerë në komunë.

“Nuk i di problemet që kanë qenë më herët, megjithatë konsideroj që ish-drejtor Lajçi ka bërë punë të mirë. Kurse nga ana ime bashkëpunimi do të jetë më të gjithë, si me kryetarin e komunës ashtu edhe me zyrtarët e tjerë komunalë”, thotë Shala.

Pas dorëheqjes së Salih Lajçit, për postin e drejtorit të kësaj drejtorie të drejtuar nga PDK-ja, zëdhënësi i komunës, Engelbert Zefaj, tha se partneri në koalicion nuk ka pasur propozime të tjera, përveç Shalës.

Drejtori i mëparshëm i Urbanizmit, Salih Lajçi, para katër muajve ua kishte paraqitur dorëheqjen strukturave drejtuese të PDK-së në Pejë dhe pas tre muajve atij i është aprovuar dorëheqja nga posti drejtorit të Urbanizmit në Komunën e Pejës.

Arsyen e dorëheqjes Lajçi nuk e ka bërë asnjëherë publike. Pas dorëheqjes Lajçi i është kthyer punës së tij të vjetër si mësimdhënës në shkollën e mesme teknike “Shaban Spahia”, ku ka punuar vite me radhë.