Vendimi për Pallatin e Rinisë përfundon në Gjykatën Supreme

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për kalimin e pronësisë të Pallatit të Rinisë në Komunën e Prishtinës është kontestuar nga një pjesë e deputetëve, të cilët janë pjesë e Komisionit për Zhvillim Ekonomik.

Kryesuesja Sala Berisha-Shala në mbledhjen e këtij Komisioni të martën e ka vënë në dyshim bazën ligjore të këtij vendimi, duke thënë se komplet lënda për këtë ndërmarrje ka kaluar në Gjykatën Supreme, shkruan sot Gazeta "Zëri".

“Kjo lëndë komplet është në Dhomën e Posaçme në Gjykatën Supreme”, ka thënë Shala-Berisha, duke shtuar se kryeministri ka marrë vendim për një ndërmarrje që veç ka qenë në procedura të likuidimit.

Në vitin 2016 Bordi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) e ka futur në procedurë të likuidimit Pallatin e  Rinisë, shkruan tutje Zëri.

Sala-Berisha ka thënë se Qeveria fillimisht është dashur që t’i drejtohet Kuvendit dhe tek atëherë kjo çështje të kthehet në vendim.

“Kjo i vështirëson gjërat. Neve na duhen dokumente shtesë nga Qeveria, që e mbështesin ketë vendim. Nuk duhet të ngutemi”, u është drejtuar Sala-Berisha deputetëve të këtij komisioni.

Kjo ka ngjallur reagimet e deputetëve të tjerë nga opozita.

Dardan Sejdiu dhe Dardan Molliqaj kanë kërkuar me ngulm që ky vendim të kalojë për procedim në seancën e radhës të Kuvendit të Kosovës.