Ata kanë bërë të ditur për KosovaPress se vetëm gjatë dy javëve të fundit, në komunën e Zubin Potokut, janë kryer dhjetëra vjedhje makinash të ndryshme, traktorësh, bagëtish dhe të ngjashme, në vlerë prej rreth 20 mijë euro.
Bojan Bozhoviq, banor i kësaj ane, tha se kriminelët veprojnë të armatosur dhe janë nga Zubin Potoku. Sipas tij, banorët e këtushëm janë të tmerruar nga ngjarjet e fundit që po ndodhin në atë zonë, ndërsa policia sikur nuk është duke punuar fare në këtë drejtim.
Bandat e organizuara kriminale gjatë dy javëve të fundit kanë vjedhur pasuri me vlerë prej mbi 20 mijë euro, duke përfshirë këtu makina të ndryshme, traktorë dhe bagëti. Kriminelët lëvizin të armatosur dhe janë shumë mirë të informuar rreth vendndodhjes së pronarëve, konkretisht kur janë apo nuk janë në shtëpitë e tyre. Serbët lokalë dyshojnë se hajdutët janë nga Zubin Potoku, ndërsa në stacionin e policisë vazhdimisht thonë se hetimet janë dukje vazhduar. Në mesin e të dëmtuarve ka edhe policë, të cilëve u janë vjedhur makinat, ka thënë për KosovaPress Bozhoviq. i shpreson se policia do t'i zbulojë dhe arrestojë sa më parë autorët e këtyre veprave kriminale, në mënyrë që qytetarëve t'u sigurohet siguria dhe prona. Në të kundërtën, shtoi ai, policia duhet të japë llogari për paaftësinë në punën e saj.
KosovaPress-i lidhur më këtë çështje ka folur edhe me zëvendësdrejtorin e PK-së për rajonin e veriut, Besim Hoti, i cili tha se Policia e Kosovës me shqetësim ka pranuar secilin informacion rreth kësaj dukurie.
Hoti tha se institucioni që ai përfaqëson ka hartuar plan operativ, për kapjen e autorëve dhe parandalimin e veprave të tilla.
Sa i përket në Komunë e Zubin Potokut, Policia e Kosovës si çdo vjedhje tjetër e sheh me shqetësim dhe normalisht që reagon në kuadër të rasteve. Lidhur me vjedhjen e fundit në Zubin Potok, PK-ja ka hartuar planin operativ të veçantë për natyrën e veprave penale dhe sigurisht që do të funksionojë me kohë të veçantë me qëllim të parandalimit të veprave të tilla dhe të identifikimit të kryerësve të mundshëm, tha Hoti.
Ai shpjegoi se plani është hartuar nga përgjegjësit të cilët sipas tij duhet të bashkëpunojnë me qytetarët dhe të gjitha institucionet me qëllim të kapjes së kryerësve dhe parandalimit të mundshëm.
Hajdutë të armatosur tmerrojnë banorët e Zubin Potokut
Banorët e komunës së Zubin Potokut shprehen të shqetësuar tejmase për ngjarjet që po ndodhin gjatë ditëve të fundit në këtë rajon, nga hajdutët për të cilët thonë se po veprojnë të armatosur dhe të organizuar mirë.