Ishte një ditë e zakonshme prilli. Vajza ime për përgatitej për të shkuar në shkollë. Në telefon mora një mesazh nga mësuesja e saj: “Dafina është përzgjedhur të jetë pjesë e grupit të valles, i cili do të vallëzojë në koncertin që do të mbahet për ditën e shkollës!” I tregova vajzës dhe ashtu pa e menduar fare e pranuam këtë gjë. Deri këtu gjithçka në rregull.
Gëzimi për lajmin që mori e bëri vajzën time kureshtare dhe ajo nisi të më pyesë: Çka është dita e shkollës? Pse e mban këtë emër shkolla jonë? Kush është Meto Bajraktari? Çfarë ka bërë ai që shkolla jonë të mbajë emrin e tij?
Pyetjet e njëpasnjëshme të saj, përnjëherë, më kthyen në të kaluarën e dhimbshme të familjes sime. I tregova vajzës se Meto Bajraktari ka qenë heroi i një shteti, i cili shumë vite më parë kishte vrarë gjyshin tim, pra stërgjyshin e Dafinës, për arsye se ai nuk e kishte pranuar atë shtet dhe ishte angazhuar në ëndrrën për një fat tjetër të Kosovës.
Doja të përfundoja më kaq rrëfimin për vajza këmbënguli. Donte të kuptonte më shumë nga historia e stërgjyshit të saj dhe unë ia tregova gjithë historinë, të cilën, kur isha e vogël, e pata dëgjuar nga gjyshja ime.
Gjyshi ime kishte një dyqan të përpunimit të metaleve në Skenderaj. Prodhonte vegla të ndryshme të punës. Kjo zejtari, në atë kohë, ishte fitimprurëse dhe falë kësaj familja e gjyshit qëndronte mirë ekonomikisht. Mirëpo, përkundër këtij fakti, ai gjithë kohën ishte i shqetësuar. Diçka e mundonte vazhdimisht. Në fillim të vitit 1952, një natë, para se të zbardhte mëngjesi, dyert e oborrit të shtëpisë sonë u hapën me dhunë. Dhjetëra policë të armatosur rëndë u futën në shtëpi dhe në rrëmujë e sipër e prangosën gjyshin. E nxorën nga shtëpia për të mos e kthyer kurrë më. Prapa, duke qarë, mbeti gjyshja ime, atëherë 30 vjeçare, me katër fëmijët e saj, më i madhi 5 vjeç e më i vogli 1 vjeç. Ferri për të sapo kishte filluar. UDB-ja jugosllave nuk ishte mjaftuar me arrestimin. Përmes agjitatorëve të saj në fshat kishte nisur propagandën për ta damkosur gjyshin tim. Kishin organizuar një mbledhje në fshat ku pjesëmarrësit “njëzëri e kishin dënuar armikun e popullit, Isuf Kabashin”.
Pas këtij dënimi kishte ardhur «leqitja», gjëja më e rëndë për një njeri në kushtet e shoqërisë tradicionale. «Leqitja» do të thoshte izolim social të gjyshes time dhe katër fëmijëve të saj. Regjimi jugosllav kishte vendosur të mos ketë asnjë pikë mëshirë për të.
Pak ditë pas arrestimit në Skenderaj filloi gjyqi. Bashkë me gjyshin tim ishin arrestuar edhe disa të tjerë. Gjyqi zhvillohej në vend të hapur, në prezencë të qindra pjesëmarrësve. Gjyqet popullore të komunizmit ishin të tilla: linçimi publike. Të arrestuarit akuzoheshin se, në bashkëveprim me Dervish Koprivën, kishin themeluar në Drenicë grupin e organizatës “Nacional Demokratike Shqiptare”, e cila kërkonte shkëputjen e Kosovës nga Jugosllavia. Pamjet e atij gjyqi ishin makabre. Në një pemë aty afër, për javë të tëra, kishte qëndruar e varur kokëposhtë kufoma e Dervish Koprivës, krejtësisht e shpërfytyruar për shkak se ishte tërhequr zvarrë lidhur pas një kamioni, ndërsa shokët e tij, që po gjykoheshin, ishin kthyer në kufoma të gjalla për shkak të torturave çnjerëzore që mbi ta kishte ushtruar për javë të tëra UDB-ja.
Një ditë në shtëpinë tonë erdhi një njeri i panjohur. I tha gjyshes time: Isufi ka kërkuar t’i shohë për herë të fundit fëmijët dhe nëse nuk mund t’i marrësh të gjithë me vete, së paku të voglin Ganiun t’ia dërgosh. Personi, që nuk deshi të tregonte se kush ishte, para se të largohej ia tha gjyshes edhe këto fjalë : “Isufi ka lënë fjalë se edhe nëse krejt shpia ime farohet amanet knusit ja la që kurrë mos t ‘pajtohen me Serbinë”. Të nesërmen gjyshja e mori djalin e vogël, Ganiun, tani babai im, dhe shkoi në Skenderaj. Takimi ishte lënë tek dritarja e bodrumit të stacionit të policisë ku mbaheshin të burgosurit. Gjyshja iu afrua dritares dhe e thirri gjyshin tim për t’i treguar se ka ardhur me djalin. Nuk mori asnjë përgjigje. Pas pak në dritare u shfaq një dorë e cila mbante një shami. Pasi e tundi disa herë shaminë, dora u largua nga dritarja. Gjyshja e njohu dorën e gjyshit. Ai nuk kishte arritur të ngrihej në këmbë për shkak se ishte krejtësisht i rrënuar nga torturat e pandërprera. Ky ishte takimi i fundit me të. Vetëm me një përshëndetje dore. Pa shikime. E varfër është gjuha për ta thënë dhimbjen e atij momenti.
Pasi i dënuan me shumë vite burg gjyshin tim dhe të tjerët i transferuan në burgun e Nishit. Dy vite më pas familja jonë mori lajmin e kobshëm: gjyshi kishte vdekur në burg. Pas vitesh nën torturë nuk kishte arritur të rezistonte më shumë. E vetmja fotografi që kemi kujtim prej tij nga ajo kohë e tregon gjithë tmerrin e terrorit që regjimi jugosllav ushtronte mbi shqiptarët e Kosovës: një burrë në moshën 36 vjeçare ngjante me një plak që kishte kaluar të tetëdhjetat. Siç u ishte thënë e kishin varrosur në varrezën e burgut, ndërsa familja kurrë nuk kishte guxuar të kërkojë kthimin e tij në vendlindje.
Sot varri i gjyshit tim ka humbur, ndërsa mbesa e tij Dafina në librezën e saj të notave të shkollës duhet të mbajë emrin e komisarit politik Meto Bajraktari, i cili luftoi e vdiq për regjimin komunist jugosllav, regjim i cili, njësoj si gjyshit tim, ua shkatërroi jetën dhe i la edhe pa varre mijëra shqiptarë të tjerë që guxuan të ëndërrojnë lirinë e Kosovës. Paradoksale dhe irrituese!
Dhe sot, 30 vite pas rënies së komunizmit, e gati 20 vite pas çlirimit, për turpin tonë, ne vazhdojmë të lejojmë që shkollat tona të mbajnë emrat e heronjve të atij regjimi kriminal.
Të gjitha vendet që kanë dalë nga komunizmi i kanë dënuar krimet e komunizmit, si hap i parë i shkëputjes nga trashëgimia e tij. Ne, jo që se kemi bërë këtë hap, por, përkundrazi, vazhdojmë t’i mbajmë për vlera simbolet e tij. E pamoralshme, antinjerëzore dhe antikombëtare, njëkohësisht.
Do doja që këtë rrëfim timin ta lexojë kryetari i komunës së Prishtinës dhe duke vënë në funksion kompetencat e tij të ndërmarrë veprimet e nevojshme që Shkollës “Meto Bajraktari” në Prishtinë t’i hiqet ky emër.
Z. Kryetar bëjeni këtë hap!
Mos lejoni që edhe më tutje librezat e fëmijëve tanë të njollosen me emrin e një që njeriu simbolizon Jugosllavinë komuniste.
Zgjidhni një emër të dinjitetshëm, i cili ka kuptim dhe mesazh për fëmijët që po rriten ne Kosovën e lirë.
Dëshmoni se keni respekt për ata mijëra burra e gra të Kosovës që, në kohë e rrethana të ndryshme, u persekutuan, u shkatërruan burgjeve, e u vranë mizorisht vetëm pse guxuan të ëndërrojnë lirinë, të cilën sot ne po e jetojmë.
(Autorja: Mendohije Kabashi, sociologe)
Një letër në formë të rrëfimit për kryetarin e Prishtinës
Do doja që këtë rrëfim timin ta lexojë kryetari i komunës së Prishtinës dhe duke vënë në funksion kompetencat e tij të ndërmarrë veprimet e nevojshme që Shkollës “Meto Bajraktari” në Prishtinë t’i hiqet ky emër.