Objekti në fjalë gjatë luftës së parë botërore paska qenë stacion i xhandarmërisë ; Në mes të dy luftërave paska shërbye si komunë, stacion i xhandarmërisë dhe burg. Gjatë viteve 60ta, 70ta, 80ta dhe 90ta paska shërbye si objekt banimi, kurse pas lufte ka ngelë i braktisur.
Sot në mjedis të kampanjës zgjedhore për komunën e Podujevës veç paskan filluar t’i hjekin tjegullat për ta rrënuar dëshminë më të mirë të një historie që ruan brenda mureve dhe gurëve ky objekt.
Kështu u rrënuan dhe humbën shumë dëshmi nëpër trojet shqiptare, gjatë gjthë historisë, kurse pas luftës së fundit kjo dukuri mori përmasa marramendëse nën patronatin e mafies ndërtuese dhe politikave që ishin kryekëput nën shërbimin dhe diktatin e tyre.
Asnjë popull më shumë se shqiptarët nuk e ka përjetuar dhe rijetuar atë që dikur e kishin jetuar dhe përjetuar stërgjyshërit dhe katragjyshët e tyre. Duke i harruar me kast katahurat e shumta gjatë historisë dhe duke i shkatërruar stigmat fizike të atyre katahurave, shqiptarët menduan se do ta kenë më lehtë të jetojnë duke mos i pa ato, sepse « ato » mund t’ua kujtojnë të keqen e përjetuar dhe do t’ua bëjnë jetën më të rëndë.
Kështu ne mbijetuam, përjetuam dhe rijetuam, por nuk jetuam ; nuk ecëm vertikalisht, por zhagaz si zvaranik…
« Qoftë e shkuar dhe e harruar » është një shprehje e jona që edhe sot e përdorim kur na ndodhë një gjamë e randë, një humbje e madhe, një fatkeqësi…
Shpejtësia me të cilën u zhduken të gjitha stigmat e luftës, vendet e krimeve si stacionet e policisë, burgjet famëkeqe etj, në fakt janë zhdukje me dëshirë ose pa dije e fakteve fizike me të cilat dëshmohet krimi.
A thua Polonia, Çekia, Jevrejtë dhe popuj tjerë të civilizuar nuk çenkan patriotë e as mirë me krye që i ruejnë me fanatizëm objektet dhe dëshmitë e holokaustit dhe krimeve tjera gjatë historisë ?!…
Asnjë vend në botë, për kokë banori, nuk ka më shumë përmendore luftëtarësh e në anën tjetër nuk ka asnjë muze lufte dhe asnjë muze të krimeve.
Sot është në rrezik iminent zhdukja e një objekti nga të paktët që kan mbetur me vlerë historike, kurse arsyetimi i institucioneve lokale se ky objekt nuk ka asnjë vlerë kulturore për t’u rauajtur është skandaloz dhe hipokrit, kur dihet se sa të pamëshirshëm ishin politikat e pasluftës me objektet kulturore dhe me vet kulturën.
Nëse Podujeva dhe Kosova ka intelektualë, historian, ata duhet të ngrejnë zërin dhe të pengojnë rrënimin e këtij objekti i cili do të ishte ideal për një muze historik të Podujevës, ku gjeneratat e sotme dhe brezat e ardhshëm do të mësojnë, mos të harrojnë, që të mos rijetojnë atë që përjetuam ne dhe brezat para nesh.
*Opinion i shkruar nga shkrimtari ILAZ HYSAJ.
Një objekt me rëndësi të madhe historike rrezikon të rrënohet në Podujevë
Arsyetimi “legjitim” ala shqiptarçe është ky : « në atë objekt baballarë, babagjysh e plot llapjanë janë rrahë e torturua e ka pas edhe aso që kanë dekë nga torturat aty » (citat)