Shyqri Dumani për Express ka thënë se ndotja e ajrit ka si burim qarkullimin rrugor, termoelektranat, e së fundi edhe shtëpitë. Sipas tij, burime kryesore të ndotjes së mjedisit janë gazrat, pluhuri, zhurma, valët elektromagnetike, që ndahen në ndotës kimik, fizik dhe fiziko-kimik.
Ai ka thënë se kushtet meteorologjike po ndihmojnë që situata me ndotje të ajrit të shkojë edhe më tutje drejt keqësimit.
“Kushtet meteorologjike janë kryesisht të disfavorshme për Prishtinën sepse kemi mjegull dhe brymë që të dyja janë të disfavorshme për një ambient të pastër pasi që mjegulla ndikon negativisht sepse e mban të gjithë ndotjen që lirohet nga automjetet për kohë të gjatë dhe ndotja praktikisht gazrat dhe pluhurat nuk shpërndahen në atmosferë”, thotë ekologu.
Pikërisht mjegulla, sipas tij, ka bërë që ndotja të mbetet në sipërfaqe të kryeqytetit, në pjesën më të ulët të atmosferës.
“Zgjidhje për momentin nuk ka përveç se të shkohet me termofikim të Prishtinës. Duhet të lidhet me nxemje qendrore e tëra, të gjitha masat që duhet të ndërmerren duhet të jenë minimizuese ose zvogëluese”, shton ai.
Dumani vlerëson se planet urbanistike kanë të meta të shumta që kanë shndërruar Prishtinën në një labirint të ndotjes.
“Planet urbanistike janë faktor shumë i rëndësishëm pasi që planet që janë bërë në vitin 2008 kanë të meta të shumta në Prishtinë përmes tyre janë legalizu ndërtimet e larta dhe këto ndërtime janë të tilla sa që e kanë shndërruar Prishtinën në një labirint dhe ndotja në këto labirinte qëndron në kohë të gjatë dhe vjen kryesisht nga komunikacioni rrugor, ky është një faktor shumë i rëndësishëm”, pohon ai.
Ai thotë se këto plane duhet të shfuqizohen dhe të bëhen plane të tjera ku do të merret parasysh faktori mjedis.
Cilësia e naftës dhe benzinës, në të njëjtën kohë edhe kontrollet teknike duhet të jenë të mirëfillta, shton ai, duke vlerësuar që të gjitha veturat që janë ndotëse të mëdha duhet të eliminohen.
“Cilësia e naftës dhe benzinës, kontrollet teknike që bëhen duhet të jenë të mirëfillta dhe jo shkel e shko, duhet ta matet emisioni i gazrave toksike ose helmuese me kontrolle teknike, ekzistojnë pajisje dhe këto pajisje i kanë shumica e atyre që bëjnë kontrolle teknike dhe ato duhet të hyjnë në funksion.
Veturat duhet të bëjnë kontroll duhet të bëhet emisioni në dalje, siç është bërë në Ish-Jugosllavi dhe të eliminohen të gjitha ato vetura që janë ndotëse të mëdha”, thotë ai.
Mungesa e parqeve në anën tjetër është shqetësuese, vlerëson ai, duke shtuar se duhet të bëhet një plan që mbyll rrugë nëpër të cilat kalojnë kamionët e mëdhenj që bartin materiale ndërtimore.
“Prishtina duhet të ketë plerebusë (autobusë me rrymë) që lidhin Fushë Kosovën, Obiliqin disa lagje të kryeqytetit që mund të kontribuojnë në ndalje të ndotjes”, përfundon ekologu.
Të mërkurën shoqëria civile ka paralajmëruar protestë përmes rrjetit social Facebook. Në anën tjetër, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka bërë të ditur se janë duke përcjellë në vazhdimësi nivelet e larta të ndotjes së ajrit në Kosovë e veçmas në Prishtinë, duke treguar edhe faktorët që po sjellin në keqësim të situatës dhe duke bërë thirrje që të përdoren maska në qytet.
I pari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka iniciuar një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit për të adresuar problemin e cilësisë së ajrit në Prishtinë, duke kërkuar një plan nacional të mirëfilltë dhe afatgjatë, me të cilin do të evitohej kjo situatë që po na përsëritet.
Si të shpëtohet nga ndotja e ajrit në Prishtinë?
Situata alarmante që radhit Prishtinën si kryeqytetin me ajrin më të ndotur në botë po shikohet me shqetësim nga qytetarët, të cilët kanë paralajmëruar edhe protesta. E në anën tjetër, i pari i kësaj komune, Shpend Ahmeti dhe Ministrja e Ambientit, Albena Reshitaj, po mundohen që fajin dhe përgjegjësinë ta përcjellin diku tjetër. Ekologu Shyqri Dumani ka treguar për Gazeta Express faktorët kryesorë që sjellin deri në këtë situatë.