Nga Moikom Zeqo
Për shkak të lidhjes time shumë të veçantë me Ulqinin kam parë me syrin e arkeologut monumentet e tij.
Ulqini është një qytet arkeologjik i klasit të parë. Ai është një strukturë urbane iliro – shqiptare buzë Adriatikut, me një histori sinkretike qytetërimesh të mëdha.
Këtu janë gërshetuar qytetërimet lëvizëse të grekërve të vjetër, romakëve, bizantinëve, venedikasve, osmanëve, sllavëve, duke mbijetuar Ulqini shqiptar sot dhe në të ardhmen.
Këtu kulturat shpirtëzuese të mitologjive janë përzjerë dhe ndërthurur gati në mënyrë surreale.
Mitet homerike të argonautëve, të kolkidëve dhe Medeas, të Artemisit dhe të Bindit, mitet e krishtërimit të hershëm, të katolicizmit europerëndimor italik, dalmatin, të ortodoksizmit bizantin dhe sllav, islamizmi kuranik, sektet mistike të dervishëve etj.
Më poshtë po flas për disa hulumtime të mia për monumentet arkeologjike të panjohura të Ulqinit.
Në akropolin e kështjellës pranë sternës monumentale bizantine gjeta për herë të parë një kapitel të stilit jonik të shekullit IV p.e.s., që dëshmon për ekzistencën e dikurshme të një tempulli pagan jonik, ndoshta kushtuar kultit të Artemisit, kult shumë i fuqishëm në Durrës, Apoloni gjatë shekujve VI-III p.e.s.
Ky kapitel me mermer të bardhë të importuar, në bazë të përmasave dhe të modulit përcakton qartë lartësinë e kolonës mbi të cilën ka qenë dhe rikonstruktimin hipotetik të monumentit.
Duke e parë me vëmendje profesionale altarin e Artemisit, të bashkësisë (koinonit) të gurgdhendësve të Ulqinit, vura re se në pjesën e sipërme është saktësisht një vrimë me kllapë plumbi, që tregon se mbi të ka qenë vendosur dikur statuja e Artemisit Elafovoles, kult ky i çuditshëm, sepse e paraqet këtë hyjneshë me brirë dreri (një rifigurim i njëjtë i hyjneshës së këtij kulti është zbuluar në Apoloni).
Në materialet arkeologjike të ekspozuara në Kala, ku janë vënë edhe objektet e kulturës së hershme arbërore të Shasit, është edhe një fragment pëlhure mëndafshi me motive floreale, një tekstil bizantin, dëshmi unike deri më sot e nxjerrë nga varret arbërore të Shasit. Është zbulim sensacional.
Plastika paleokristiane e shekujve V – VI brenda territorit të kështjellës, ende e pastudiuar dhe e pabotuar, flet për kulturë ndërtimore dhe artistike të krishtërimit vendas të nivelit shumë të lartë, ku koncepti bizantin është i stilit dalmatik të lidhur që heret me elemente të krishtërimit perëndimor.
Relievet skulpturore të shekujve XII – XIV, po të monumenteve të kultit të krishterë të stilit pre-romanik, romanik, të gotikut të hershëm si dhe të rilindjes dalmatinase flasin për një fazë të dytë, vijuese, që lartësohet në kulturën mesjetare shqiptare në sintoni e simbiozë me kulturën venedikase.
Ulqini si qytet – kështjellë shqiptaro – venedikase është kapitull kryesor me nivel shumë të lartë të mesjetës dhe rilindjes dalmatine.
Qeramika majolike e pikturuar bizantine dhe venedikase me figura zoomorfe dhe antropomorfe në Ulqin përbën një koleksion të pasur (shekujt XII – XV) e denjë për një album cilësor të historisë së artit miniaturist dhe utilitar të përditshmërisë së jetës njerëzore.
Mbishkrimi në latinisht në një monument të copëtuar në katër fragmente murosur në lartësinë gati 3 metra majtas në strukturën pas Portës veriore të Kështjellës të personazhit historikt Delfino është një dokument epigrafik i pabotuar dhe i papërkthyer në shqip.
Në hamamin e Ulqinit, një monument me atraktivitet të madh turistik, ka gjurmë të një terme më të hershme.
Në murin e xhamisë pranë janë dy monumente: një mbishkrim në italishten venedikase dhe një friz me mermer kristalik të bardhë të Parosit ku është skalitur një rozetë me cilësi artistike, që i takon periudhës helenistike (shek. III p.e.s.).
Kroi i Gjeranave. Struktura ndërtimore i takon një ndërtimi monumental të shekullit XV.
Aty është një stemë heraldike që ka të skalitur një skud, ku është figura e qenit molos ose epiroto – ilir, simbol i besnikërisë dhe qëndrueshmërisë.
Kjo stemë heraldike i ka takuar një familjeje patricore të rëndësishme në Ulqin, vendase.
Kjo stemë duhet mbrojtur, për të mos u vjedhur dhe shkatërruar, duhet vendosur domosdoshmërisht në një mjedis të mbyllur muzeor, kurse një kopje e stemës origjinale mund të vendoset te platforma e kroit.
Mbas platformës vura re tunelin e gdhendur në shkëmb, një ndërtim inxhinierik hidrik i shkëlqyer.
Në tërësi kjo fontanë me stemë është monument urban që parakupton një shesh dhe një rrugë përpara vetes.
Një gërmim arkeologjik pa dyshim i zbulon këto elemente ndërtimore të lidhur me fontanën.
Më 7 shtator 2010 së bashku me Ismet Kallabën, Gazmend Kovaçin dhe Anton Lulgjurajn e vumë në jetë një ide të vjetër, për të zbuluar enigmën e relievit mbi murin ballor të kështjellës pranë molit.
Relievi në gur të verdhë shtufor, i vendosur në lartësi afër 12 metra nga niveli i bregut, ka një figurë të gdhendur të paidentifikuar deri më sot.
Për çudi për këtë reliev janë botuar shkrime duke supozuar se relievi është shumë i vjetër dhe përfaqëson figurën e hyut ilir të ujërave, Bindit etj.
Me ndihmën e një shkalle zjarrfikësish u ngjita dhe e pashë shumë afër relievin.
Pashë qartë figurën e shqiponjës me krahët e hapura, me kokën dhe sqepin djathtas.
Figura e shqiponjës është dëmtuar nga erozioni.
Për mua qe e qartë më në fund se shqiponja e relievit është sipas standardit ikonografik të simbolit heraldik të Bizantit, të epokës së Justinianit të Madh (shek. VI).
Simboli perandorak i shqiponjës së Bizantit në formën e tij më të hershme me një kokë me sqepin djathtas, është një zbulim dhe sqarim përfundimtar i enigmës së relievit kaq shumë të diskutuar.
I falënderoj miqtë e mi, ulqinakë, që së bashku e bëmë “ekspeditën” e vogël të verifikimit okular, in situ të figurës heraldike.
Kjo shqiponjë në gur ka qenë pjesë përbërëse e një monumenti brenda Kalasë, është ripërdorur më vonë gjatë rindërtimit dhe restaurimit të kështjellës venedikase të Ulqinit në shekullin XV.
Vëzhgimet e mia të mësipërme janë subjekte shkencore që kërkojnë thellim të mëtejshëm.
Po e përfundoj këtë shkrim duke vënë në dukje se duhet pasur kujdes në rrafshin arkeologjik.
Muri mesjetar, në hyrje të molit, pjesë fortifikimi duhet shpallur monument kulture nën mbrojtjen e shtetit, gërmimi i dherave duke bërë të dalin themelet e kështjellës duke krijuar rrezik të madh, duhet të jetë shqetësim shkencor dhe i pushtetit komunal, kurse, në fund mendoj se është kriminale që nuk i është kushtuar kujdes shpellës nën shkëmbin e kështjellës, sepse shpella është gjithashtu një mjedis që grish turizmin kulturor në qytetin e Ulqinit.
Ulqini arkeologjik, kujtesa e shekujve
Ulqini meriton një sagë dashurie të përhershme, të pafundme.Por, për shqiptarët e Ulqinit ende arkeologjia nuk është çelësi për të hapur portat e mbyllura të kujtesës. Shqiptarët janë të vonuar, por kjo nuk është fatale.