Shkruan: Tahir Ahmeti
Çështja e përmbytjeve apo e vërshimeve sidomos atyre të shpejta është një dukuri e cila çdo ditë e më shumë është duke i goditur vendet e ndryshme të botes dhe të rajonit, prandaj as vendi ynë nuk mund të ketë përjashtim nga kjo.
Mbrojtja nga përmbytjet dhe parandalimi i tyre, kërkojnë qasje serioze dhe afatgjate institucionale.
Vërshimet paraqesin gjendje të jashtëzakonshme, ku mes tjerash, shkaktojnë dëme të mëdha në tokat bujqësore, dëme në ekonomitë familjare dhe biznese, mund të përkeqësohet cilësia e ujit të papërpunuar nga të reshurat, dëmtohet sistemi i kanalizimit, kontaminohen puset që furnizojnë territoret rurale me ujë të pijshëm dhe sistemi i përpunimit dhe furnizimit me ujë të pijshëm, e në raste më ekstreme mundë edhe të rrezikohet jeta e qytetarëve.
Institucionet e Kosovës, si ato qendrore ashtu edhe ato lokale, varësisht prej përgjegjësive, nuk duhet që të presin përkeqësimin e motit dhe të reshurat atmosferike që shkaktojnë vërshime, dhe tek pastaj të reagojnë.
Duhet të reagohet më herët dhe atë para sezonës së reshjeve, të merren masa parandaluese, duhet të bëhet rregullimi i shtretërve të lumenjve, kanaleve kulluese apo përrockave, në mënyrë që të pengohet dalja e ujit nga shtretërit, e që pastaj mundë të shkakton vërshime, të ndalohet eksploatimi i pa kontrolluar i zhavorit, mu në shtretërit e lumenjve, që ndikon direkt në rrjedhën normale të ujit i cili është i detyruar të del nga shtrati dhe të shkaktojë vërshime, të ndalohet ndërtimi i shtëpive, rrugëve dhe urave në vende që janë të rrezikuara nga vërshimet, të kontrollohen dhe ndalohen prerjet e pakontrolluara të pyjeve në afërsi të zonave vërshuese, gjithashtu edhe qytetarët duhet të jenë të vetëdijshëm që në lumenj të mos hedhin mbeturina, ka raste ku në disa lumenj ka të hedhura edhe automjete (të vjetra), si dhe të ketë fonde më të mëdha për masat mbrojtëse.
Institucionet relevante, pas përmbytjeve kryesisht merren me pasojat, pasi të stabilizohet moti dhe të ndalen të reshurat, formojnë komisione vlerësuese për përcaktimin e dëmeve të shkaktuara, në mënyrë që të kompensohen të dëmtuarit nga përmbytjet.
Duhen masa të vazhdueshme preventive dhe parandaluese, në mënyrë që të reshurat mos të shkaktojnë përmbytje në vazhdimësi, sa herë që janë më të theksuara, pasi po shihet se ka probleme në ketë aspekt.
Gjithsesi, kur fillojnë problemet me përmbytjet, në vise të ndryshme të Kosovës, kryetarët e komunave në bashkëpunim me agjencinë për menaxhimin e emergjencave (AME), duhet ti vënë në dispozicion të gjitha resurset, dhe ti aktivizojnë shtabet e krizave, në mënyrë që tu dilet në ndihmë popullatës së rrezikuar nga këto vërshime.
Autori është njohës i çështjeve të emergjencave dhe bashkë-themelues i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë (SPRC)
Vërshimet në Kosovë, masa parandaluese dhe qasje afatgjate
Vërshimet paraqesin gjendje të jashtëzakonshme, ku mes tjerash, shkaktojnë dëme të mëdha në tokat bujqësore, dëme në ekonomitë familjare dhe biznese, mund të përkeqësohet cilësia e ujit të papërpunuar nga të reshurat, dëmtohet sistemi i kanalizimit, kontaminohen puset që furnizojnë territoret rurale me ujë të pijshëm dhe sistemi i përpunimit dhe furnizimit me ujë të pijshëm, e në raste më ekstreme mundë edhe të rrezikohet jeta e qytetarëve.