Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga e shoqëruar nga drejtuesit e Odës Ekonomike të Kosovës, Odës Ekonomik Amerikane dhe Odës Ekonomike Gjermane, kanë vizituar sot komunën e Istogut, ku janë pritur nga Kryetari i komunës Haki Rugova i cili i njoftoj lidhur me klimën e të bërit biznes në komunën e Istogut.
Kryetari Haki Rugova, falënderoj Presidenten Jahjaga për vizitën që ju bë dhe u shpreh se iniciativa e tyre vizita nëpër komuna është shumë e qëlluar. Po ashtu njoftoj presidenten lidhur me përkrahjen e vazhdueshme që komuna e Istogut u ka bërë bizneseve, duke u krijuar kështu klimë të favorshme për operim , ku i ka liruar nga disa taksa komunale në mënyrë që këto biznese të kenë sa më të lehtë të bërit biznes.
Presidentja Atifete Jahjaga, u shpreh se në bashkëpunim me Odën Ekonomike të Kosovës, Odën Ekonomike Amerikane dhe Odën Ekonomike Gjermane, kanë vendosur të fillojmë vizitat nëpër komuna të Kosovës për të nxitur një dialog të nevojshëm dhe të munguar për zhvillimin ekonomik, punësimin dhe investimet e huaja.
Është tashmë e qartë që zhvillimi ynë ekonomik varet nga krijimi i një klime të favorshme investimi, pa pengesa administrative, me sundim të fortë të ligjit dhe konkurrencë të barabartë.
Vizita ime së bashku me Odat ekonomike ka për qëllim adresimin e drejtpërdrejtë të këtyre pengesave për të ndihmuar bizneset që të depërtojnë në Kosovë, në përpjekje për të ulur papunësinë dhe për të ngritur kualitetin e jetës në Kosovë tha ndër të tjera Presidentja Atifete Jahjaga.
Ndërkaq drejtuesit e odave ekonomike në Kosovë kërkuan një bashkëpunim sa të madh në mes tyre dhe Komunës së Istogut.