Koha dhe ndjenja janë elementet më të rëndësishme në muzikë

Faton Macula u lind në Mitrovicë. Kitarën e parë ia kishte dhënë i ati në moshën 8-vjeçare. Babai i tij ishte njeriu kryesor që e nxiti të merret me jazzmuzikë.

Pasi vërejtën interesimin e tij për kitarë, prindërit e dërguan të studiojë muzikë klasike në Shkollën e Muzikës në Mitrovicë te mësimdhënësi Petar Rakiq. Dhe derisa po studionte, ai luante me disa rock bende në gjithë Kosovën, shkruan sot “Koha Ditore”.

Në moshën 17- vjeçare është regjistruar në shkollën “Hochschule für Musik & Darstellende Kunst” në Graz të Austrisë.

Që atëherë ai ka pasur rast të këndojë dhe të interpretojë me muzikantë të njohur si: Harry Pepl, Wayne Brasel, Ewald Oberleitner, Stjepko Gut, Dushko Gojkiviq, Mark Murphy, Sheila Jordan, Jay Clayton dhe Bill Dobbins. Në moshën 18-vjeçare ai e njohu jazz-kitaristin Mark Whitfield, që u bë një tjetër influencë e rëndësishme në karrierën e tij muzikore.

Më 1998, në moshën 19-vjeçare, incizoi jazz-albumin e tij të parë me studion “Musik Garden” të titulluar “I remember you” në Graz. Në vitin 2000 ishte kthyer në Prishtinë, ku ka incizuar pop-albumin ‘Telat” me një singël me të njëjtin titull që u bë hit.

Më 2002 miku e mentori i tij Mark Whitfield e ftoi të shkonte në New York dhe prej atëherë zhvillon karrierën në qytetin amerikan ku ka pasur mundësi të performojë me jazz e pop artistë të njohur si: Marc Anthony, Shakira, Faith Hill, Missy Elliot, Carl Thomas, Gladys Knight, Mary J. Blige, James Genus, Gregory Hutchinson, Dave Kikoski, Donald Edwards, Mark Whitfield, Jim Pryor, Ravi Coltrane dhe Allan Harris.