Ta mbante fort që të mos e humbiste derisa po strehoheshin nga një vend në tjetrin nëpër fshatrat e Podujevës.
Ajo ishte arma e tij e prushit që nuk e shpëtonte dot nga armiku, por që e mbante atë në nivelin çfarë ishte mësuar të ishte. Ajo ishte arma që i kapërcente kufijtë e kërkesave të shumicës së popullatës në atë kohë lufte, shkruan sot Koha Ditore.
Atëbotë, ky mjet hekuri e ndihmonte Hilmi Deliun (1951), nga fshati Metehi i Podujevës, të qëndronte i pathyeshëm. I hekurosur. Sikur në kohë paqeje.
Kjo është historia e njeriut që edhe në kohë lufte i binte ndërmend që të rrinte gjatë gjithë kohës me tesha kat (komplet) e të hekurosura. Ai që në kohë lufte refuzoi ta merrte thesin me drithë për të mos pluhurosur e thyer setrën.
Gjithnjë i hekurosur - edhe në kohë lufte
Kur të gjithë mundoheshin të shpëtonin kokën në luftën e fundit në Kosovë, ai krahas vetes e familjes kishte edhe një copë hekuri që duhej të kujdesej për të.