Asistenca sociale, shtohen përfituesit

3 muaj deri në 1 vit, personat duhet të kenë derdhur të paktën 12 muaj kontribute. Ndryshojnë kriteret dhe procedurat në Zyrat e Punësimit për të siguruar përfitimin. Pagesat për kërkesë të përsëritur

Në muajin mars, për herë parë pas shumë vitesh, qeveria miratoi rritjen e pagesës së papunësisë me 60 për qind, duke e çuar masën në 11.000 lekë, nga 6.850 lekë që ishte më parë. Ndërkohë, dje janë përcaktuar edhe kriteret për kategoritë që marrin asistencën, si dhe formën e aplikimit.

Ajo çka ndryshon me vendimin, të zyrtarizuar tashmë është ulja e kohës së përfitimit, si për ata që aplikojnë për herë të parë, ashtu edhe për ata që rihedhin dokumentet për ta zgjatur pagesën. Por kushti për të gjithë përfituesit mbetet derdhja e kontributeve të sigurimeve shoqërore për një periudhë të paktën 12 muaj.

Gjithashtu, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë ka përfshirë në skemën e asistencave edhe disa kategori që më herët nuk mund të përfitonin.

Kategoritë

Në grupimin përfitues të pagesës së të ardhurës nga papunësia përfshihen gratë, të cilat përfundojnë trajtimin me të ardhurën e barrëlindjes, por jo më parë se 63 ditë pas lindjes.

Ushtarakët e liruar nga detyra dhe që nuk përfitojnë nga akte të tjera ligjore dhe nënligjore, gjithashtu mund të aplikojnë për të marrë asistencë, sikurse edhe burrat që ndërpresin të ardhurën nga papunësia për të përfituar përkujdesje për fëmijën. Ndërkohë, të drejtë kanë edhe personat, që janë shkëputur nga puna për arsye të përfitimit të paaftësisë së përkohshme.

Kategoritë e reja që shtohen janë shtetasit e huaj, që jetojnë në Shqipëri e që duhet të paraqesin të njëjtat dokumente, por të përkthyera në shqip, si dhe personat që kanë mbyllur aktivitetin si punëdhënës dhe rezultojnë pasiv në organet tatimore, nëse punësohen në një vend tjetër.

Aplikimi

Për të përfituar shumën mujore 11 mijë lekë, personat që plotësojnë kriteret duhet të bëjnë një kërkesë me shkrim, që duhet të plotësohet brenda dy muajve, nga lindja e së drejtës së përfitimit (60 ditë kohë, që nga dita e parë kur mbeten pa punë).

Ata duhet të konfirmohen të regjistruar si punëkërkues të papunë dhe gjithashtu, duhet të plotësojnë formularin e dyfishtë që lëshohet nga Zyra e Punësimit dhe konfirmohet nga Sigurimet Shoqërore për të tria rastet e përfitimit për të paktën 12 muaj kontribute të sigurimeve shoqërore; të paktën 5 vjet kontribute të sigurimeve shoqërore dhe mbi 10 vjet kontribute të sigurimeve shoqërore.

Dokumentacioni që nevojitet për të përfituar pagesën e papunësisë, sipas radhës, janë libreza e punës, fotokopja e kartës së identitetit, certifikata e gjendjes familjare dhe vërtetimi nga dega e Tatim-Taksave, se personi nuk është subjekt i regjistruar pranë këtyre organeve. Aplikimi për asistencë për të gjitha rastet dhe kategoritë është pa pagesë.

Nuk përfitojnë

Pika 9 e vendimit për asistencat liston edhe personat që përjashtohen. Bëhet fjalë për ata që janë në marrëdhënie pune; janë punëdhënës ose të vetëpunësuar në qytet dhe në fshat; janë duke vuajtur dënimin me heqje lirie apo edhe ata që janë larguar jashtë shtetit për arsye të ndryshme.

Në radhën e personave që nuk gëzojnë të drejtën e kësaj pagese janë edhe ata që përfitojnë pension pleqërie, invaliditeti apo familjar, paaftësie të përkohshme në punë, të të ardhurave nga barrëlindja, nga aksidentet në punë apo sëmundje profesionale, ndihme ekonomike.

Po ashtu, qeveria ka vendosur të mos përfshijë as ata që nuk pranojnë të ndjekin programe punësimi me pagesë të ofruar nga zyra e punësimit, për aq kohë sa zgjasin këto programe, pa argumente të arsyeshme dhe ata që largohen nga puna me dëshirën e tyre.