Në prag të përfundimit të fushatës zgjedhore, Bashkimi Demokratik për Integrim ka vazhduar me tubimin në qytetin e Tetovës dhe prezantimin e prioriteteve të agjendës së blertë për zhvillimin e Tetovës në katër vitet e ardhshme me Teuta Arifin si kandidate për kryetare komune dhe me listën e këshilltarëve të kryesuar nga Blerim Osmani.
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka kujtuar momentet që kanë bërë historinë e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe ka paralajmëruar përkrahjen maksimale të tij dhe ekipit të ekzekutivit për çdo kryetar komune për suksesin e kapitullit të ri të agjendës së blertë proeuropiane.
“Unë dy kapituj i kam në jetën legale, një është i Marrëveshjes së Ohrit dhe i dyti kapitulli i blertë. Kapitulli i parë është ai që unë e kam bërë bashkë me shumë bashkëluftëtarë, por edhe bashkë me shumë shokë që si kam, të rënë nëpër beteja. Ai është një kapitull i veçantë dhe i papërsëritshëm për mua dhe për të gjithë ne që e krijuam dhe e bëmë atë histori. Kapitulli që hapim do përkushtim, do studiues, do njerëz të përgatitur, ato ne i kemi si në nivel qendror ashtu edhe në nivel vendor. Kush ma mirë mund ta zbatojë e materializojë këtë agjendë, kush më mirë se fillimin e zbatimit të kësaj platforme mund ta bëj në nivel vendor, këtu në Tetovë sesa Teuta me përvojën dhe njerëzit që ka. Për këtë arsye edhe përcaktimi i qytetarëve është, i shumicës së tyre, që edhe për katër vitet e ardhshme ti prijë këtij misioni Teuta Arifi”, potencoi Ahmeti.
Kryeministri dhe kryetari i LSDM-së qeverisëse Zoran Zaev në tubimin e djeshëm në Gostivar premtoi mbështetje përmes BERZH-it për pastrimin e deponive ilegale dhe rregullimin e plotë të një deponie të rregullt rajonale për Gostivarin, Tetovën dhe të gjithë rajonin e Pollogut.
“Pasojnë projekte të reja të rëndësishme për Gostivarin, të cilat mbështeten drejtpërdrejt nga pushteti qendror. Një prej tyre, ndoshta më i rëndësishmi është ndërtimi i autostradës Gostivar – Bukojçan – Kërçovë, që do të thotë lidhshmëri më e mirë e Gostivarit dhe më shumë mundësi për rritje të përshpejtuar ekonomike. Premtojmë mbështetje prej 100 milionë eurove të ofruara nga Banka Evropiane Investuese për kanalizimet, furnizimin me ujë dhe impiantet e filtrimit, premtojmë mbështetje nga Banka Botërore për rrugët dhe rrugicat lokale, premtojmë mbështetje të Buxhetit të shtetit për projekte të mëdha të shërbimeve komunale në Komunën e Gostivarit, premtojmë mbështetje përmes BERZH-it për pastrimin ilegal të deponive dhe rregullimin e plotë të një deponie të rregullt rajonale për Gostivarin, Tetovën dhe të gjithë rajonin e Pollogut”, theksoi Zaev.
Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, mbrëmë e kanë mbajtur tubimin qendror në Gostivar, ku Ziadin Sela dhe Afrim Gashi thanë se “kanë nevojë për fitore të pastër, si në Gostivar, në mënyrë që të mos ketë më komuna të udhëhequra nga BDI-ja dhe për fitoren e koalicionit Aleanca-Alternativa në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”.
“Të dielën me dorë ta tregoni rrugën e dritës. Pas 17 tetorit, nuk do të ketë më komuna të udhëhequra nga BDI-ja, sepse koalicioni ynë do të fitojë nga Struga deri në Likovë. Thuajuni njerëzve se ne kemi nevojë për një fitore bindëse, për të fituar pastër si në Gostivar në raundin e parë”, tha Sela.
Ai iu referua mesazheve të fushatës të kundërshtarëve të tyre, të cilët e fajësojnë Taravarin për një numër të kazinove në Gostivar.
“Ata flasin për kazinotë dhe e fajësojnë Taravarin. Lejet janë nënshkruar nga ministri i tyre. Ligji për kazinotë është në parlament, por ata nuk e votuan atë. Kazinotë do të hiqen kur të largohen dhe të shkojnë në opozitë, sepse e kërkojnë paturpësisht votën tuaj”, tha Sela.
Lideri i Alternativës, Afrim Gashi, foli para popullit të Gostivarit për optimizmin që po përhapet tek anëtarët para zgjedhjeve dhe u kërkoi atyre që të dalin më masivisht dhe të votojnë për ta.
“Ju qytetarë gostivarë, duke votuar për Taravarin më 17 tetor, mos votoni vetëm për Gostivarin. Kjo fitore do të jetë paralajmërim për një fitore edhe më të madhe që na pret në zgjedhjet parlamentare. Me siguri edhe një herë do t’ju çojmë në votim, në mënyrë që të ketë një ndryshim dhe një shumicë të re që nuk do të lejojë marrjen e autorizimeve të Taravarit dhe çdo kryetari të suksesshëm”, tha Gashi.
Dita e fundit e fushatës për zgjedhjet lokale 2021 në Maqedoni
Në prag të ditës së sotme të fundit të fushatës parazgjedhore për Zgjedhjet lokale më 17 tetor, partitë i vazhduan aktivitetet me takime me qytetarët duke premtuar, siç theksuan, projekte të qëndrueshme sipas situatave reale, duke theksuar se zgjedhjet janë me rëndësi thelbësore për drejtimin përmes të cilit do të lëvizë shteti në periudhën e ardhshme dhe duke shprehur bindje në fitoren zgjedhore.