Vendimi përcakton ndalimin e peshkimit me çfarëdolloj mjeti dhe metode gjuetie, si dhe mbajtjen në bord, tranzitimin në barkë, zbarkimin e qëllimtë të Krapit në liqenin e Shkodrës, për periudhën 1.4.2023 deri më 30.4.2023.
Po kështu, ky vendim i formës së prerë ndalon edhe peshkimin me çfarëdolloj mjeti dhe metode gjuetie, si dhe mbajtjen në bord, tranzitimin në barkë, zbarkimin e qëllimtë të Gjuhcës e njohur ndryshe si Alburnus Albidus Alborella në liqenin e Shkodrës, për periudhën 1.4.2023 deri më 31.7.2023.
Ndërkohë, për periudhën 1.4.2023 deri më 30.4.2023 lejohet të peshkohet vetëm ngjala me grepa nga subjektet e pajisura me leje peshkimi nga Organizata e Menaxhimit të Peshkimit të Liqenit të Shkodrës, siç është parashikuar në Planin e Menaxhimit të Ngjalës.
Por ministria e Bujqësisë nuk është ndalur vetëm këtu. Për periudhën 1.5.2023 deri më 30.6.2023, do të ketë ndalim dhe për peshkimin me rrjeta në fashën bregliqenore prej 300 m nga bregu.
“Vendbazimi i varkave të peshkimit do të jetë sipas zonave të përcaktuara nga Organizata e Menaxhimit të Peshkimit të Liqenit të Shkodrës. Për periudhën e lejimit të peshkimit të ngjalës, sipas pikës 3 të këtij urdhri, Organizata e Menaxhimit të Peshkimit të Liqenit të Shkodrës të ketë monitorim të sasive ditore të peshkuara‘- thuhet në urdhërin e ministrisë së Bujqësisë.
Peshku i sekuestruar nga peshkimi i paligjshëm të groposet ose të shpërndahet për bamirësi. Për zbatimin e këtij urdhri, do të hartohet edhe një Plan i Përbashkët Operativ Veprimi nga Drejtoria e Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës në koordinim me Organizatën e Menaxhimit të Peshkimit të liqenit të Shkodrës.
Organizata e Menaxhimit të Peshkimit të Liqenit të Shkodrës do të duhet të marrë të gjitha masat e zhvendosjes së objekteve ku peshqit kanë lëshuar vezët, në rastet e rënies së nivelit të ujit në liqenin e Shkodrës.
Për zbatimin e këtij urdhri, ngarkohet Drejtoria e Politikave dhe Programeve të Peshkimit dhe Akuakulturës, Drejtoria e Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës, Organizata e Menaxhimit të Peshkimit të Liqenit të Shkodrës, Drejtoria Rajonale e AKU Shkodër, duke bashkëpunuar me strukturat e qeverisjes vendore, Drejtorinë e Policisë së Rendit dhe atë Kufitare në qarkun e Shkodrës dhe Policinë Bashkiake të Shkodër dhe Malësisë së Madhe./RTSH
Liqeni i Shkodrës në karantinë, ndalohet kategorikisht peshkimi i krapit dhe gjuhcës
Liqeni i Shkodrës rrezikohet seriozisht nga shfarosja e krapit dhe gjuhcës, sidomos në këtë periudhë të shumimit ku lëshohen vezët. Kjo situatë dramatike ka detyruar ministrinë e Bujqëisë që të ndërhyjë fort, duke ndaluar në mënyrë kategorike peshkimin në Liqenin e Shkodrës për të gjithë muajin prill.