Kryetari Naim Ismajli në vizitë zyrtare në komunën e Çairit në Shkup

Shkup (Çair), 21 dhjetor 2015 – Kryetari i komunës së Shtimes, z. Naim Ismajli, sot ishte në vizitë zyrtare në Komunën e Çairit në Shkup, ku atje u takua me kryetarin e kësaj Komune, z. Izet Mexhiti, kryetarin e Këshillit të Komunës, z. Zahir Bekteshi dhe zëvendëskryetarin e Këshillit të Komunës, z. Milaim Fetai.

Gjatë kësaj vizite, kryetari Ismajli para studentëve Institutit për Studime Politike dhe Ndërkombëtare (ISPN) dhe anëtarëve të Këshillit të Komunës së Çairit, mbajti një ligjëratë, ku foli për pushtetin lokal/komunal, statusin ligjor të komunës, organet komunale, aktet e Kuvendit të Komunës dhe Kryetarit, pastaj për funksionimin e Kuvendit të Komunës, për përgjegjësit e Kryetarit, për shërbimin civil të Komunës, pasurinë dhe kompetencat e zgjeruara komunale, kompetencat vetanake dhe të deleguara, parimet themelore të financave, shërbimet komunale që ofrohen nga ndërmarrjet publike dhe bashkëpunimin ndërkufitar të komunave.

Në pjesën e dytë të ligjëratës, kryetari Ismajli mori si shembull qeverisjen lokale të Komunës së Shtimes, për të cilën i njoftoi të pranishmit fillimisht për profilin e saj, strukturën e popullsisë, organogramin dhe të arriturat e komunës së Shtimes.

Ndërkaq, në pjesën e tretë të ligjeratës, kryetari Ismajli foli edhe për Asociacionin e Komunave të Kosovës (AKK) dhe strukturën organizative të AKK-së.

Në fund të kësaj lëgjirate pati një sërë pyetje nga studentët dhe anëtarët e Këshillit të Komunës së Çairit, në të cilat kryetari Ismajli iu përgjigj. Gjatë këtij takimi, nga komuna e Shtimes të pranishëm ishin edhe drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Fatmire Ferati dhe shefi për Informim dhe Protokoll, Lulzim Sahiti.