Transformohet blloku i banimit tek Ambasada Amerikane në Tiranë (Foto)

Blloku pranë Ambasadës Amerikane në kryeqytet po merr një pamje krejtësisht të re. Rrugët dhe trotuaret janë krejtësisht të reja dhe tashmë banorët do të kenë edhe një kënd të çlodhjes për të gjitha grupmoshat, si dhe ndërtimit të katër këndeve të lojërave për fëmijë.

Projekti për rehabilitimin e bllokut të banimit që kufizohet nga Rr. “Stavri Vinjau”, Rr. “Budi” dhe Rr. “Qamil Guranjaku”, është i ndarë në katër faza, të cilat parashikojnë rikonstruksionin e të gjitha rrugëve, duke përfshirë përmirësimin e rrjetit të kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të zeza, asfaltim, ndriçim dhe vendosjen e sinjalistikës së nevojshme.

Përmes sistemimit të 150 vendeve të parkimit, pritet që të marrë zgjidhje edhe ky shqetësim i banorëve të kësaj zone tejet të populluar.