Për ndërtimin e këtij objekti sportiv, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të investojë mjete financiare në vlerë prej 1 milion e 200 mijë euro gjatë vitit 2018. Ky projekt kapital u vlerësua se është i rëndësisë së veçantë dhe me interes të jashtëzakonshëm për qytetarët e Gremës dhe vendbanimeve përreth.
Ministri Gashi u shpreh se është shumë i lumtur që ky projekt filloi dhe sot po vendoset ky gurthemel. “Palestra në Greme është njëra ndër projektet më moderne që po financohet nga buxheti i shtetit, më saktësisht nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në infrastrukturën sportive.
Ky projekt
kapital që do të financohet nga MKRS do ketë kosto 1 milion e 200 mijë
euro dhe do ta përfundojmë deri në fund të vitit 2019”, tha ministri
Gashi.
Ai po ashtu tha se Komuna e Ferizajt vitin e ardhshëm do të bëhet
edhe me Qendrën Multifunksionale Kulturore, Rinore dhe Sportive.
Ministri theksoi se “Qeveria e Kosovës dhe unë si ministër jemi të
përkushtuar që të përmirësojmë infrastrukturën sportive në vend".
“Të rinjtë tanë kanë talente të jashtëzakonshme, kemi detyrim që tu
krijojmë mundësi të zhvillimit të aftësive të tyre me qëllim që
sukseset, nëpër të gjitha disiplinat sportive, mos të na mungojnë”,
përfundoi ministri Gashi.
Ndërkaq kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se është i
lumtur që po finalizohet ky projekt. “Ky fshat e meriton më së shumti
sepse ka taksapaguesit më të mëdhenj të Republikës së Kosovës”.
Po ashtu edhe Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, u shpreh se
po ndihet mirë që banorët e Gremes po bëhen me një qendër të tillë
sportive. “Tashmë Ferizaj është kryeqendër e zhvillimit ekonomik dhe
Gremja është vendbanim i zhvillimit ekonomik.”, tha ai. /InfoKomuna/