Java në superligë nis me derbin në Gjakovë

Trajneri i Vëllaznimit, Ismet Munishi, pak ka folur për ndeshjen që do ta zhvillojë skuadra e tij të premten (sot, 13:00) kundër Gjilanit në Gjakovë, shkruan sot Koha Ditore.

Më shumë foli për situatën e rëndë financiare që po kalon klubi gjakovar. Por me gjithë problemet, që jo vetëm këtë vit po e përcjellin Vëllaznimin, Munishi pret nga futbollistët e tij të dalin të pamposhtur nga përballja me Gjilanin në Gjakovë, ndeshje kjo e vlefshme për xhiron e 15-të të Vala Superligës në futboll.

Vëllaznimi nuk e ka humbur asnjë ndeshje deri tash në shtëpi. Është në pozitën e tetë me 21 pikë, kurse Gjilani në pozitën e tretë me dy pikë më shumë.

Xhiroja e 15-të zhvillohet pas dy javësh pauzë për shkak të ndeshjeve të përfaqësueseve.