Mbahen garat e kërcimeve nga Ura e Fshejtë në Gjakovë

Sot në Gjakovë është mbajtur edicioni i 67 zyrtar i kërcimeve në ujë nga "Ura e Fshejtë", e cila këtë vit është organizuar me dedikim post mortum për tre kërcyesit e dalluar Ali Podrimja (Italiani), Besim Mulliqi dhe Sali Riza Gërqina.

Po ashtu, kjo garë e sivjetme është pjesë edhe e promovimit të pullës postare të PTK-së me emblemën e kërcimeve në ujë nga "Ura e Fshejtë".
Kryetarja e komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, fillimisht e ka bërë hapjen e kësaj gare atraktive e cila ndër tjerash ka theksuar se "kjo urë tashmë nuk promovon vetëm Gjakovën dhe Rahovecin por tërë Kosovën. Sot, ne po kujtojmë edhe tri legjendat e kërcimeve në ujë, dhe njëherit ju shprehim falënderimin për pjesëmarrjen edhe garuesve dhe përfaqësuesve nga Shkodra, e që është një simbolikë e lidhjeve Gjakovë - Shkodër".

Kryetarja Kusari-Lila gjithashtu ka ndarë mirënjohje post mortum për të tre këta kërcyes në stilin dallëndyshe të cilat janë pranuar nga familjarët e tyre.
Garat janë hapur me një minutë heshtje në nderim të kërcyesit Sali Riza Gërqina, ndërkohë që juria vlerësuese ka qenë në përbërje të Kujtim Gorani, Gonxhe Xhiha-Basha dhe Sokol Hoti.
Në stilin dallëndyshe ka qenë një garë mjaft e ngushtë, ku pas dy kërcimeve dy vendet e para i kanë ndarë Florid Gashi dhe Shkelzen Goqi me nga 58,5 pikë, ndërsa vendi i tretë me 58 pikë i ka takuar kërcyesit Ludovik Prenqi. Në stilin e kërcimeve në ujë vendin e parë me pikë maksimale prej 30 pikë e ndanë garuesit Kreshnik Bejra dhe Egzon Prenqi, ndërsa vendin e tretë e arriti Ardit Bejra me 58 pikë. Një kërcim mjaft atraktiv jashtë konkurrencës e ka bërë edhe kampioni i shumëfishtë, Kujtim Gorani.

Në edicionin e sivjemë janë ndarë edhe disa mirënjohje për kontribuesit dhe promovuesit e kësaj gare, ndër të cilët kanë qenë edhe dy fotoreporterët, Shkelzen Rexha dhe Visar Kryeziu.
/InfoKomuna/