Shqiponja kualifikohet pas dy ndeshjeve dramatike

Shqiponja ka fituar me vetëm një gol dallim, por megjithatë është kualifikuar në një të tetën e finales në Challenge Cup në hendboll për femra.

Shqiponja të dielën mbrëma në palestrën "Shani Nushi" në Gjakovë para rreth 600 shikuesve fitoi me shifrat 29:28 ndaj ekipit izraelit Maccabi Arazim Ramat gan, shkruan Koha Ditore.

Ishte kjo ndeshja e dytë e raundit të tretë të Challenge Cup, që është niveli i tretë i garave evropiane. Skuadrat ishin pajtuar që dy ndeshjet të luhen në Gjakovë.

Ndeshja e parë, në të cilën vendas ishte Maccabi, përfundoi 31:30 në të mirë të ekipit izraelit, ndërsa u luajt të shtunën po në Gjakovë. Kështu rezultati pas dy ndeshjeve ishte 59:59, por Shqiponja kaloi tutje për shkak se kishte shënuar më shumë gola në ndeshjen që zyrtarisht ishte mysafire.