Gara Ballkanike e Atletikës së shpejti zbret në Gjilan

Gara Ballkanike e Atletikës do të mbahet sivjet në Komunën e Gjilanit, në të cilën do të përfshihen të gjitha shtetet e Ballkanit. Kjo u bë e ditur sot pas takimit që kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, zhvilloi me nënkryetarin e Federatës Europiane të Atletikës, Dobromir Karamarinov, i cili shoqërohej nga kryetari i Atletikës së Kosovës, Halil Sylejmani.

Kryetari Lutfi Haziri e ka falënderuar nënkryetarin Karamarinov për mbështetjen që Gara Ballkanike e Atletikës sivjet të mbahet në Gjilan, përderisa e ka njoftuar për infrasktrukturën ekzistuese dhe planet për zgjerimin saj akoma më shumë. Haziri ka shfaqur zotimin se së shpejti do të themelohet edhe klubi i atletikës së Gjilanit.

Nga ana e tij, Karamarinov ka falënderuar kryetarin Haziri për mbështetjen, sidomos ndaj sportit të atletikës.  Ai është shprehur të jetë i impresionuar me atë që ka parë në garën mbarëkombëtare “Vrapimi i Qytetit”, e cila është mbajtur të dielën në Gjilan me pjesëmarrjen e mbi 1 mijë atletëve.
 
Pas vizitës në Komunën e Gjilanit, Karamarinov, i shoqëruar nga udhëheqësi i Njësisë për Sport, Malazog Hoxha, ka vazhduar me inspektimin e stadiumit ndihmës në Gjilan, i cili ka katër korsi të shtegut të atletikës. 
/InfoKomuna/