Mbi të gjitha, dua ti falënderoj veteranët e futbollit prezentë dhe ata që nuk i kanë mbijetuar kohës, të cilët kanë bërë shumë për futbollin gjilanas. Gjatë kohës së okupimit kemi organizuar ndeshje në kushte tejet të rënda dhe ai mundi mua më ka obliguar që në këtë fazë ta marrë këtë hap për rindërtimin e stadiumit modern. Ky stadium, përveç që i plotëson nevojat e klubeve të futbollit, i plotëson nevojat edhe të grupmoshave të reprezentacionit të Kosovës. Natyrisht, i plotëson të gjitha kushtet tjera teknike që UEFA dhe FIFA i kërkojnë, ka thënë Haziri.
Jam i lumtur që në vigjilje të ndeshjes Kosovë-Islandë po e prezantojmë këtë projekt, ka shtuar Haziri, i cili ka falënderuar grupet punuese për punën e madhe që kanë bërë në realizimin e këtij projekti.
I pari i gjilanasve ka informuar se mjetet për këtë stadium, i cili kushton mbi 3 milionë euro, janë të siguruara, ndërkaq ka shtuar se qytetarët dhe sportdashësit kanë një javë kohë për ti dhënë propozimet dhe vërejtjet e tyre, në debatin publik që nga sot.
Ndërkohë, nënkryetari Rexhep Kadriu, i cili ka qenë udhëheqës i komisionit për këtë projekt, ka prezantuar kronologjinë e projektit para qindra futbolldashësve, ndërsa ka falënderuar kryetarin Haziri për, siç tha, përmbushjen e zotimit të tij për këtë projekt kapital.
Kjo është meritë kryesore e kryetarit Haziri, i cili e ka kthyer vëmendjen e Qeverisë së Kosovës dhe të qendrave të mëdha botërorë kah Gjilani, në aspektin e investimeve në të gjitha lëmitë e jetës, tha Kadriu.
Stadiumi i qytetit, sipas këtij projekti, është kategoria e katërt e nivelit më të lartë sipas standardeve të UEFA-s dhe FIFA-s, i cili i mundëson zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare. Projekti do të realizohet në tri faza, ndërkaq do të finalizohet në vitin 2020 me bashkëfinancim mes Komunës së Gjilanit dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Projektin e ka punuar kompania Unikosproject me kosto modeste prej 38 mijë euro.
/InfoKomuna/
Gjilani prezanton projektin për rindërtimin e stadiumit të qytetit
Komuna e Gjilanit ka prezantuar projektin final të rindërtimit të stadiumit të qytetit të kapacitetit prej 10 mijë ulëseve, i cili u vlerësua si vepër e madhe arkitektonike. Gjatë prezantimit të projektit, kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se puna e madhe që kanë bërë veteranët e futbollit në kushte jashtëzakonisht të rënda, ka bërë që ta marrë këtë hap për rindërtimin e stadiumit të qytetit.