Gjilanit do t'i renovohet palestra sportive

Nevoja për rehabilitimin e palestrës sportive është shqetësim i sportistëve herë pas here i artikuluar edhe publikisht.

Këtë problem, që mesa duket nuk do të jetë problem më, e ka zgjidhur tashmë kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri.

Projekti i tij, tashmë i miratuar në MEPT, dhe i gatshëm për tenderim, do ta sjellë në Gjilan palestrën e renovuar sportive, moderne e që i akomodon nevojat e sportistëve.

"Sporti është identiteti i Gjilanit dhe si i tillë duhet marrë seriozisht. Ne kemi nisur projektin tashmë të miratuar nga MEPT dhe të gatshëm për tenderim, për palestrën sportive që do t'i akomodojë sportistët tanë siç e meritojnë”, ka thënë kryetari Haziri.

“Përfshihet rehabilitimi i plotë i palestrës, ndërtimi i objektit të ri për akomodimin e sportistëve, 110 vendparkingje për klientë, pishina gjysmë-olimpike, krijimi i vendeve të reja të punës e plot benefite tjera. Sportistët tanë janë prioritet dhe ata duhet ta dinë që dorën e komunës do ta kenë gjithmonë aty për t'i ndihmuar”, ka shtuar kryetari Haziri.