Feniksi kërkon raundin elitë të "Championsit"

Lojtarët e klubit të futsalit Feniks do të kenë një javë tjetër të ngarkuar, me shpresë se ajo do të përfundojë si java e tretë e gushtit - me kualifikim në raundin tjetër.

Kampioni i Kosovës në futsal do të garojë në Grupin 2 të raundit kryesor të UEFA Futsal Cup, garës së vetme evropiane për klube të futbollit të sallës, shkruan Koha Ditore. Ndeshjet e këtij grupi luhen në palestrën "Boris Trajkovski" në Shkup të Maqedonisë, ndërsa dy të parët e grupit kualifikohen për raundin elitë. Në Grupin 2 pos Feniksit janë edhe Zhelezareci i Shkupit, Araz Naxçivan i Azerbajxhanit dhe Tbilisi State University i Gjeorgjisë.

Feniksi i Drenasit ndeshjen e parë e luan të martën (sot) nga ora 20:00, ndërsa përballë i ka vendasit e Zhelezarecit. Të mërkurën nga ora 17:30 përballet me favoritët e Arazit, ndërsa të premten nga ora 13:00 luan me Tbilisin.

Feniksi ishte klubi i parë që përfaqësoi Kosovën në gara të organizuara nga Konfederata Evropiane e Futbollit (UEFA). Në raundin preliminar fitoi grupin dhe kështu u kualifikua për raundin kryesor.