Mbahet Turniri i Mundjes për nder të Heroit të Kosovës "Feriz Guri"

Në Sallën e Sporteve të Shkollës Fillore “Ilaz Thaçi” në Han të Elezit është zhvilluar Turniri i mundjes i pari që organizohet për nder të Heroit të Kosovës “Feriz Guri”.

Pjesëmarrës në këtë turnir ishin Klubet Shqiptare nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia.
Pjesmarrësve të kësaj ngjarje me fjalë përshëndetëse iu drejtuan Kryetari i Federatës së Mundjes të Kosovës Naim Muja, Kryetari i Federatës së Mundjes të Maqedonisë, Betim Vranezi, Kryetari i Komunës së Kaçanikut Besim Ilazi, Legjenda shqiptare e sportit të mundjes Shaban Sejdiu, Habib Guri në emër të Familjes të Heroit të Kombit “Feriz Guri”, ndërsa duke iu uruar mirëseardhje dhe suksese në këtë garë sportive, turnirin e shpalli të hapur Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit Rufki Suma.

Në sallën e mbushur përplot me dashamirë të sportit të mundjes u zhvilluan duele shumë të mira nga garuesit ndërsa për më të mirët u ndanë medalje dhe mirënjohje.
Turniri mbarëkombëtar i mundjes “ Feriz Guri” është organizuar nga Federata e Mundjes së Kosovës përkrahur nga Komuna e Hanit të Elezit dhe Komunës së Kaçanikut dhe synohet të jetë tradicional sipas kalendarit të Federatës së Mundjes së Kosovës.

Federata e Mundjes së Kosovës nderoi me “Mirënjohje” të gjithë ata që kontribuan për realizimin e kësaj ngjarje sportive.

Nikoqirë e kësaj ngjarje sportive ishte Klubi i Mundjes “Sharri” nga Hani i Elezit, ndërsa për aspektet organizative u përkujdes Zyber Xhoni kryetarë i këshillit organizativ, njëherit Selektor i Pionierëve dhe Kadetëve në Federatën e Mundjes së Kosovës.

/InfoKomuna/