Palestra e “famshme” e Kaçanikut gati për vitin 2019

Ministri Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi vizitoi Komunën e Kaçanikut. Gjatë kësaj vizite, ministri u prit nga kryetari i Komunës Besim Ilazi, ku pastaj bashkërisht inspektuan punimet në Palestrën e Sportit të qytetit.

Gjatë inspektimeve të punimeve, ministri tha se kjo palestër është një investim i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

“Qëllimi i kësaj vizite është inspektimi nga afër i punimeve por në të njëjtën kohë për të kërkuar edhe nga operatori  ekonomik, nga kompania e cila po realizon punimet në këtë projekt që të intensifikoj punimet në mënyrë që këtë palestër sportive, këtë objekt gjigant që e investon MKRS-ja,  ta kemi të gatshme në fillim të vitit 2019”.

“Ky bashkëpunim mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komunës së Kaçanikut do të vazhdoj edhe më tutje dhe jemi bashkërisht këtu për ta konfirmuar bashkëpunimin por edhe në të njëjtën kohë edhe për të kërkuar që ky projekt të përmbyllet në një afat sa më të shpejtë”, theksoi ministri Gashi.

Në anën tjetër, kryetari Ilazi tha: “Patëm kënaqësinë ta kemi për vizitë ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Qëllimi i kësaj vizite ka qenë i inspektimeve të punimeve në  Palestrën Sportive, një projekt i filluar mjaft herët por që s’ka arritur të përfundohet”.

Punimet në këtë palestër, kryetari i Komunës i vlerësoi si një projekt i harruar andaj falënderoi ministrin për vizitën dhe për kujdesin e tij duke thënë se vizita dhe kujdesi i ministrit kanë ndikuar në shtimin e dinamikës të punës.