Historia 12-Vjeçare e një Palestre Sportive [video]

Më 2004 ka nisur ndërtimi i palestrës sportive në Kamenicë. Sipas LDK-së, tash në opozitë, palestra nuk është përfunduar vetëm pse projekti është nisur nga kjo parti. E pushteti aktual fajin ia hedhë Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Ndonëse ka nisur të ndërtohet 12 vjet më parë, palestra sportive në Kamenicë zor që do të përfundohet gjatë këtij viti. Kryetari aktual i Komunës, Begzad Sinani, në zgjedhjet e fundit lokale në vitin 2013, në debatin “Jeta në Komunë”, kishte premtuar se palestrën do të ketë në fokus në dy vitet e para të qeverisjes së tij.

Por, ndonëse Sinani ka nisur vitin e tretë të mandatit, palestra është po aty ku ishte në kohën kur ai e dha premtimin para qytetarëve.

Sipas zyrtarëve komunalë, Komuna ka kryer obligimet e saj. Ata akuzojnë Ministrinë e Rinisë, Kulturës e Sportit se ka neglizhuar punët. Por, ndryshe nga komuna mendon zyrtari nga LDK-ja, Jeton Biqkaj.

“Realisht, qeverisja aktuale nuk është treguar e përgjegjëshme ndaj palestrës sportive, sepse palestra sportive ka një kronologji të zhvillimeve apo të realizimit të këtij projekti. Qysh në vitin 2004, Komuna ka arritur një marrëveshje me Ministrinë e Kulturës që të financohet projekti i palestrës sportive, ku atë kohë Komuna kishte participuar në vlerë prej 100,000 eurosh”, tha ai.

Biqkaj, që njëherit është dhe shef i grupit asamblistëve të LDK-së, tha se kryetari aktual nuk ka dashur që ky projekt të realizohet vetëm pse ka qenë i inicuar nga LDK-ja.

“Në vitin 2007 ka fituar kryetari aktual Begzad Sinani, i cili është treguar mjaft i papërgjegjëshëm në raport me palestrën sportive, kur dihet se në atë kohë qeverinë e ka udhëhequr PDK-ja, dhe kryetari është tregu i papërgjegjëshem duke mos u interesuar për vazhdimin e punimeve në palestrën sportive por duke propagandu e duke bërë fushatë që ky projekt është nisë nga LDK-ja dhe duhet të rrëzohet se nuk është i qëndrushëm”, u shpreh asamblisti Biqkaj.

Ai tregoi se në atë kohë ishte formuar edhe një komision nga profesorë të Fakultetit Teknik të Universitetit të Prishtinës, të cilët kishin vlerësuar se gjendja e objektit është e mirë dhe mund të vazhdoheshin punimet.

Ndërsa, Faton Biqkaj, shef i personelit të Komunës, për KALLXO.com përmes e-mailit ka thënë se Komuna ka paguar pjesën e pagesës dhe dy fazat e tenderimit janë përfunduar.

Ai tregoi se Ministria ka ndarë 300 mijë euro dhe shpreson që punët do të përfundojnë gjatë këtij viti.

“Tani është vetëm faza finale e përfundimit. Pas kërkesës sonë janë ndarë 300 mijë euro dhe ka përfunduar afati i tenderimit. Është në fazën e vlerësimit dhe besojmë se shumë shpejt do të fillojnë punët dhe do të përfundohet brenda këtij viti”, thotë ai.

I pyetur pse nuk kanë përfunduar punët deri më tash, Biqkaj thekson se nuk ka pasur vullnet politik për përfundimin e këtij projekti, pasi bartëse e projektit është Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.