Basketbollistët e Trepçës punojnë në kushte të vështira materiale

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, ka biseduar me drejtuesit e Klubit Basketbollistik “Trepça”, Shaban Miftari, kryetar, Besim Braha, drejtor dhe Besim Kurti, anëtar i Bordit, për situatën e përgjithshme në klub. Në takim isht i pranishëm edhe nënkryetari i komunës, Safet Kamberi.

Drejtuesit e KB “Trepça”, e njoftuan kryetarin Bahtiri dhe nënkryetarin Kamberi, me gjendjen e rëndë financiare në klub, për të cilën thanë se mund të jetë shkaktare e ndërprerjes së garave në arenën ndërkombëtare.

Kryetari i klubit, Shaban Miftari, tha se aktualisht KB “Trepça”, është konsoliduar me lojtarë dhe se në radhët e saj ka basketbollistë të talentuar, pesë nga të cilët janë nga shtetet tjera, gjë që ka bërë që edhe rezultatet të jenë të kënaqshme.

“Mirëpo, mungesa e mjeteve materiale për të plotësuar kushtet minimale për punë dhe gara sportive, mund të ndikoj negativisht në suksese. Të vetmin burim të financimit të rregullt i kemi shikuesit që paguajnë buletat, mjete këto që janë tepër pak. Për të plotësuar kushtet minimale për aktivitete na duhen brenda vitit rreth 200.000 euro, që ne nuk po mund t’i gjejmë askund. Komuna na ka ndihmuar aq sa ka mundur, por edhe kjo është e pa  mjaftueshëm. Prandaj edhe kemi ardhur këtu që të bisedojmë së bashku se si të veprojmë dhe si të gjemë mjete”, tha ai.

Kryetari i klubit Miftari tha se klubi ka disa donatorë, por që megjithatë nuk është e mjaftueshme për të  plotësuar kushtet, andaj edhe ekziston mundësia që klubi të heq dorë nga garat në Ligën Ballkanike, që nuk do të ishte aspak mirë për klubin dhe qytetin.
Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, tha se komuna vërtetë ka vështirësi të mëdha buxhetore, për shkak të problemeve të shumta që i ka në të gjitha fushat, e të cilat nuk i kanë komunat tjera, të cilat edhe kanë mundësi më të mëdha për të mbështetur sportin.

“Megjithëkëtë, komuna ka mbështet klubin tuaj aq sa ka mundur. Ne kemi dëshirë dhe vullnet për të ju mbështetur edhe më shumë në të ardhmen, por kjo varet nga mjete që i kemi në dispozicion, sepse si komunë ne duhet të mbështesim edhe sportet tjera. Sidoqoftë, bashkë me ju do të angazhohemi maksimalisht që përmes rrugëve legale dhe ligjore të sigurojmë së paku minimumin e mjeteve për klubin tuaj. Andaj ju duhet të punoni edh e më shumë dhe të ktheni famën e klubit që kishte dikur.

Sukseset tuaj do të ndikojnë edhe tek shikuesit dhe donatorët, por edhe institucionet tjera, që të ju mbështesin më shumë”, tha kryetari Bahtiri./InfoKomuna/