Ishin fotografitë e yjeve të Barçës që ishin të vendosura në hyrje të stadiumit të KEK-ut, "Agron Rama" në Obiliq, kurse në fushë Benshin dhe fëmijët e tjerë po i prisnin katër trajnerët dhe koordinatori i Akademisë së Barcelonës.
Puna e trajnerëve dhe e koordinatorit është t'ua mësojnë fëmijëve metodën e punës që e bëjnë në Akademi të Barcelonës.
Këtë e dinin edhe fëmijët, të cilët kishin të veshura fanella në anën e majtë të të cilave ishte stema e Barcelonës, shkruan Koha Ditore.
"Po më pëlqen shumë. I falënderoj të gjithë që na mundësuan të mësojmë edhe ne se si punohet në Barcelonë", tha Benshi 14-vjeçar.
Benshi kishte marrë rrugë nga Suedia, ku edhe jeton, për të qenë pjesë e kampit të Barcelonës në Kosovë, që nisi të shtunën dhe që përfundon të mërkurën. Të dielën ishte dita e dytë e kampit.
Benshi nuk ishte i vetmi që kishte marrë rrugë nga larg për të mësuar sekretet nga rutina stërvitore të praktikuara nga Messi, Neymar, Pique, Bartra, Sergio Roberto, Jordi Alba dhe shumë të tjerë. Rrugë të gjatë ka marrë edhe Gëzim Konjuhi. Ai erdhi nga Alaska.
Të gjithë dukeshin të entuziazmuar. Secili prej fëmijëve tregonte ëndrrat. Dikush thoshte se dëshironte të bëhej si Messi, e dikush tjetër si Suarez, Neymar, Pique.
Në Obiliq mësohen vlerat e Barçës
Mustafa Benshi nga Siria ishte një nga afro 180 fëmijët që kaluan pranë yjeve të klubit të futbollit Barcelona: Sergio Busquets, Gerard Pique, Andres Iniesta, Luis Suarez, Neymar dhe Lionel Messi.