Besa "e dorëzuar" pret kampionin në superformë

Barazimi ndaj Gjilanit (0:0) në fundjavë ia ka shuar shpresat skuadrës së Besës për të vazhduar garën për titull të kampionit.

Fokusi i ekipit pejan tash mbetet Kupa e Kosovës. Kështu të paktën ka deklaruar trajneri i Besës, Gani Sejdiu, para ndeshjes derbi të xhiros së 12-të të Vala Superligës së Kosovës në futboll.

Besa të mërkurën (sot, 13:00) në stadiumin "Shahin Haxhiislami" në Pejë pret kampionin dhe pretendentin për ta mbrojtur titullin, Ferronikelin, nga Drenasi.

Besa është në pozitën e pestë me 17 pikë, kurse Ferronikeli dy pozita më lart me 24 pikë. Në pozitën e parë është Trepça '89 me 30 pikë.