Marrëveshje për sigurim të rrymës gjatë ndeshjeve në stadiumin "Fadil Vokrri"

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Alper Erbas, drejtor menaxhues në Kompaninë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS) dhe Agim Ademi, kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës.

Marrëveshja ka për qëllim bashkëpunimin e ndërsjellë në mes të palëve për përmirësimin e kushteve teknike në stadiumin “Fadil Vokrri” në mënyrë që të sigurohet qëndrueshmëri në furnizim me energji elektrike gjatë zhvillimit të ndeshjeve.

Në këtë aspekt, KEDS do të ofrojë sponsorim standard teknik përgjatë një viti dhe do të caktojë një ekip të veçantë teknik për intervenime dhe ofrimin e këshillave rreth shfrytëzimit e kursimit të energjisë elektrike në mënyrë të duhur.