FBK-ja e Prizreni synojnë zhvillimin e kategorive të reja me Memorandum

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) dhe Komuna e Prizrenit kanë nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi për zhvillimin e programit të kategorive të reja edhe në këtë qytet të Kosovës.FBK përmes faqes zyrtare ka bërë të ditur se ky Memorandum Bashkëpunimi ka për qëllim sigurimin e kushteve sa më të mira për zhvillim të basketbollit ndër kategori të reja në Komunën e Prizrenit, me përkrahjen e Komunës, FBK-së dhe KB Bashkimit, transmeton Koha.net.

Komuna ka marr përsipër sigurimin e palestrës sportive çdo ditë nga 5 orë në ditë, duke përfshirë këtu të dyja konkurrencat, meshkuj dhe femra.

Në anën tjetër KB Bashkimi ka marr përsipër angazhimin dhe kompensimin e dy trajnerëve të shkollës së basketbollit, të cilët do të punojnë në bazë të programeve të FBK-së.

Ndërkaq FBK ka marr përsipër mbikëqyrjen e punës së shkollës së basketbollit, nëpërmjet koordinatorit të FBK-së për kategori të reja, Chris Dial.

Memorandumi i Bashkëpunimit është nënshkruar nga kryetari i FBK-së, Erolld Belegu dhe kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja.

FBK është shumë e entuziazmuar me përkrahjen e Komunës së Prizrenit për këtë projekt, i cili për federatën dhe basketbollin kosovar në përgjithësi do të thotë shumë duke e marr parasysh faktin se gjeneratat e reja janë prioritet për FBK-në.

“Pas disa qyteteve tashmë radha i erdhi edhe Komunës së Prizrenit për t’u bërë pjesë e programit tonë për zhvillimin e basketbollit ndër gjenerata të reja.

Ne jemi shumë të lumtur dhe të kënaqur që kemi hasur në bashkëpunim të mirë të Komunës së Prizrenit, por edhe të klubit të Bashkimit, pasi vetëm kështu mund të kemi një të ardhme të ndritur të basketbollit për kategoritë e reja, duke përfshirë këtu djemtë dhe vajzat tona të reja.

Në të njëjtën kohë ky program do të jetë i mirëseardhur edhe për trajnerët, sepse ata do të kenë rastin të mësojnë shumë nga trajneri amerikan, Chris Dial, i cili tashmë përvojën e tij e ka bartur në disa qytete të Kosovës dhe të gjithë trajnerët janë ndarë të kënaqur me punën që ai është duke e bërë në këto vende”, ka thënë Leart Hoxha, sekretar i përgjithshëm i FBK-së.